Bota

Shkencëtarët: Është vetëm çështje kohe para se Santorini të goditet nga një vullkan

Kudo që të shkelni në Santorini, duhet të kujtohet se jeni në një vullkan. Rreth 3,600 vjet më parë, një shpërthim i fuqishëm vullkanik shkatërroi qytetin e lashtë të Santorinit, Akrotiri. Sot, Santorini, i njohur gjithashtu si Thira, është një nga vendet më romantike në Greqi me vila dhe resorte luksoze.

Santorini është pjesë e Harkut Vullkanik Helen, një nga fushat më të rëndësishme vullkanike në Europë, e cila ka parë mbi 100 shpërthime gjatë 400,000 viteve të fundit. Vullkani më aktiv nënujor dhe potencialisht i rrezikshëm, Kolumbo, është 5 km në verilindje të Santorinit dhe pjesë e të njëjtit sistem vullkanik.

I zhytur në detin Egje, Kolumbo ka qenë i qetë për gati 400 vjet por nuk është në gjumë. Herën e fundit që shpërtheu, në vitin 1650, vrau 70 njerëz dhe shkaktoi cunam, u regjistruan tërmete të forta dhe pasgoditje, së bashku me gaz toksik dhe shtëllunga tymi.

Shkencëtarët e dinë se shpërthimi i Kolumbos mund të shkaktojë shumë dëme. Prej vitesh, ekspertët realizojnë ekspedita dhe monitorimi i zonës është rritur në 20 vitet e fundit.

Falë famës globale, në Santorini janë kryer disa nga investimet më të mëdha turistike në vend. Megjithatë, gjeologët, të cilët po monitorojnë nga afër Kolumbon paralajmërojnë se është vetëm çështje kohe para se të godasë sërish një shpërthim i madh.

Në vitin 2020, Agjencia e Mbrojtjes Civile e Greqisë zbuloi një plan prej 185 faqesh për trajtimin e pasojave të një aktivizimi të mundshëm të grupit vullkanik të Santorinit.

Santorini një ditë mund të varroset edhe një herë nën një shtresë hiri. Por tani për tani, ndërsa vizitorët shijojnë një tjetër muzg mahnitës me një gotë në dorë, vullkani qëndron i qetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë