Politike

Rithemelimi i drejtohet me dosje Çuçit dhe Manjës: Hetoni kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës   

Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka njoftuar se i është dërguar një shkresë zyrtare ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ministrit të Brendshëm,  Bledi Çuçi, për filllimin e hetimit për shkeljet që sipas saj ka kryer kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani dhe administratori i Ndërkomunales Bushat, Agron Ceka.

“…Sipas dokumenteve, që disponojmë dhe ua kemi vënë në dispozicion medias dhe zotërinjve ministra, më 17 qershor 2022, koncesionari privat që administron landfillin e Bushatit, i është drejtuar Gjykatës së Shkodrës, me një kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për 12 fatura të periudhës gusht 2017–gusht 2018, me vlerë detyrimi 500 milionë dhe kamata ligjore 185 milionë lekë.

Gjyqtari, pa verifikuar vërtetësinë e faturave dhe ekzistencën reale të detyrimeve, në shkelje flagrante të ligjit, më 13 shtator 2022, e pranoi kërkesën, duke njohur detyrimin e shoqërisë koncesionare në shumën 685 milionë lekë.

Pas zbardhjes së vendimit, shoqëria koncesionare ka vendosur në ekzekutim vendimin gjyqësor, nëpërmjet zyrës përmbarimore, duke njoftuar shoqërinë Ndërkomunale Bushat sh.a., një shoqëri 100% në pronësi të Bashkisë së Vaut të Dejës, për detyrimin në shumën 685 milionë lekë. Veprimi i parë që administratori, Agron Ceka, duhet të kishte kryer është verifikimi i ekzistencës së detyrimit që pasqyrohej në vendimin gjyqësor. Siç rezulton nga llogaritë bankare të Ndërkomunalja Bushat sh.a., të 12 faturat kanë qenë plotësisht të shlyera”, tha Vokshi. Veprimi normal që sipas saj duhet të kishte kryer administratori Ceka ishte  t’i drejtohej gjykatës, duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të urdhrit të ekzekutimit, pasi detyrimi 685 milionë lekë nuk ekzistonte.

“Por, më 21 mars 2023, administratori Ceka ka lidhur një marrëveshje me kryetarin e Bashkisë së Vau të Dejës, Mark Babani, ndërmjet së cilës ky i fundit merr përsipër që të kalojë 100 milionë lekë për shlyerjen e borxheve ndaj shoqërisë koncesionare. Edhe kryetari i bashkisë ka vepruar në shkelje flagrante të ligjit, pasi neni 54, germa “dh”, e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, detyron kryetarin e bashkisë që për çdo ndryshim në buxhet të marrë miratimin e Këshillit Bashkiak. Jo vetëm miratimin e Këshillit Bashkiak nuk e ka marrë, por pa kryer asnjë lloj verifikimi për ekzistencën e detyrimit, Mark Babani kalon 100 milionë lekë nga paratë e taksapaguesve të Vau të Dejës, për një detyrim që nuk ekzistonte. E gjitha nuk është gjë tjetër, veçse një skemë e paligjshme me qëllim vjedhjen e 685 milionë lekëve të qytetarëve të Vaut të Dejës”, tha Vokshi.

Rithemelimi i kërkon Ministrisë së Drejtësisë dhe të Brendshme të fillojnë hetimet ndaj shtetasit Agron Ceka dhe kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, Mark Babani. Nuk dihet pse Rithemelimi nuk i është drejtuar SPAK-ut por dy ministrave që i denoncojnë nga mëngjesi e deri në darkë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë