Politike

Pakti Detar/ Dyshimet e akuzat e mediave greke për marrëdhëniet mes Ramës dhe Erdogan

Çështja e pazgjidhur e paktit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë ka dominuar vitin e shkuar marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive. E për këtë media greke ka luajtur një rol që për më tepër i ka hedhur “benzinë zjarrit”, duke e fajësuar Tiranën zyrtare se nuk ka pranuar duke u ndikuar nga Turqia e pikërisht nga presidenti Rexhep Taip Erdogan. “Shigjetat” e mediave greke drejtohen pikërisht te marrëdhënia që kryeministri shqiptar Edi Rama ka me presidentin turk.

Një studim i kryer si fundmi i Raporti i Observatorit të Medias (MORE) si pjesë e një projekti shumëdimensional ALGREE — Albania-Greece: Understanding. Connecting analizon marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, e mbi të gjitha atë se si mediat i kanë pasqyruar këto raporte.

“Për shumë vite, media greke ushqeu narrativën se, Turqia qëndronte pas vendimit të Edi Ramës për të kundërshtuar ligjërisht marrëveshjen e kufijve detarë të vitit 2009. Kjo narrativë u ushqye nga deklarata sporadike të anëtarëve të opozitës shqiptare, deklarata kontroverse të personazheve publike turke (por jo zyrtarëve) dhe zërave nacionalistë në Greqi”, thuhet në këtë studim.

Ndërsa jepen si ilustrim edhe disa tituj bombastik të mediave greke. “Shërbëtori i Erdoganit”: Faqja e parë e Dimokratia (e djathtë) më 26 korrik, mbante titullin “Attila (duke iu referuar pushtimit të Qipros nga Turqia në vitin 1974) ka mbështetjen e Ramës”, me nëntitullin “Shqipëria, shërbëtorja e Erdoganit, po provokon paturpësisht Greqinë: Kështu na shpërblejnë për mbështetjen tonë të pakushtëzuar në BE”.
Artikulli citon mediat qipriote dhe një faqe greke (slpress.gr): “Pas përpjekjes së Ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të ngritur çështjen çame dhe ngjarjeve të papranueshme në parlamentin shqiptar kur vendi ynë u akuzua për gjenocid, si dhe dhënie e marrje të vazhdueshme me Ankaranë, shqiptarët tani kanë akuzuar Republikën e Qipros për “izolimin” e turqve qipriotë. Ky incident i pabesueshëm ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mërkurën e kaluar, më 20 korrik, kur përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, ngriti çështjen e të ashtuquajturit izolim të turqve qipriotë”.

Si shembuj jepen edhe takimet e Ramës me Ergodan, ku cilësohen si vëllazërore apo dhe si një marrëdhënie dashurie. “Një marrëdhënie dashurie”: Një shembull tipik se si mediat greke i interpretojnë marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Erdoganit të Turqisë, jepet nga artikulli me titull “Dashuria (jo dhe aq) e papritur e Ramës me Erdoganin dhe flirti ‘’ i çuditshëm’”, botuar në Manifesto (e djathtë) më 26 gusht: “Përpjekjet e Ankarasë për të ndërhyrë në rajon, nuk janë sekret. Sidomos kur bëhet fjalë për Shqipërinë, gjithçka ka të bëjë me bisedimet me dyer të mbyllura dhe qëndrimin e Tiranës për çështjen e kufijve detarë ndaj Athinës. Greqia ra dakord 12 milje detare me Italinë, por Rama bëri një… driblim, duke zgjedhur opsionin e Gjykatës Kushtetuese për t’u shërbyer në thelb interesave të Turqisë”.
Ndërsa në monitorimin e medias shqiptare mbi raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë theksohet se: “Gjatë periudhës së monitorimit, raportet e medias shqiptare për marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, u fokusuan në çështje dypalëshe, pa përmendur në rendin e ditës çështjen e kufirit detar me Greqinë apo marrëdhënien e Ramës me Erdoganin”.

“Ndërkohë mediat opozitare në veçanti, iu drejtuan me kritika qeverisë shqiptare për gjoja shkeljen e të drejtave të njeriut në ekstradimin e anëtarëve të opozitës turke me kërkesë të qartë të Erdoganit. Për më tepër, mediat shqiptare raportojnë rregullisht për tensionet mes Greqisë dhe Turqisë, por me ton neutral dhe pa mbajtur anën e askujt”.

Më tej theksohet se nuk ka asnjë provë që vendimi i Ramës të jetë diktuar në ndonjë mënyrë nga Ankaraja. “Gjithashtu, mediat greke janë tipike dyshuese për takimet dypalëshe dhe marrëveshjet ushtarake mes Shqipërisë dhe Turqisë. Në përgjithësi, ato tentojnë ta portretizojnë Tiranën si një përfaqësuese të interesave turke në rajon dhe synimeve të saj “keqdashëse” përballë Athinës”.

Vizita e 22 majit të vitit të shkuar në Tiranë të kryediplomatit grek Niko Dendias, bëri që të shpërthejnë media në Greqi, kundër qëndrimit të kryediplomates Olta Xhaçka.

Shumica e titujve kryesorë u përqendruan te “çështja çame” e ngritur nga ministrja shqiptare dhe reagimi i homologut të saj grek, në vend që të theksonin mesazhet e këtij të fundit në mbështetje të “ofertës” evropiane të Shqipërisë dhe për zgjidhjen e çështjes së kufijve detarë.

“Çështja që pala greke e konsideron joekzistuese, “Çamët”, sigurisht që ishte dukshëm e pranishme në lajmet mediatike të nesërmen e vizitës së Dendias. Konkluzioni kryesor nga faqet e para të 24 majit ishte se, konferenca për shtyp ishte “turbulluese”, me një shkëmbim armiqësor deklaratash për “çështjen çame” të iniciuar nga një Ministre e Jashtme “agresive” shqiptare, e cila mori “një përgjigje të ashpër” nga homologu i saj”.

Për shembull, e përditshmja Political, fliste për “Mashtrimin shqiptar” (duke përdorur fjalën μπαμπεσιά, në shqip pabesi); Titujt e tjerë tregues ishin: “Një Ministër i Jashtëm agresiv shqiptar” (Kontra), “Provokim i tepruar nga shqiptarët” (Dimokratia)”, “Veto kundër rrugëtimit evropian të Shqipërisë” (Estia). Shumica e raporteve u fokusuan në “çështjen çame” dhe disa nënkuptuan ose deklaruan qartë, duke cituar Dendias, se ishte një “pengesë” e mundshme për ofertën evropiane të Shqipërisë.

“Një i jashtëm që do të vëzhgonte faqet e para dhe titujt në mediat greke më 24 maj, ndoshta do të arrinte në përfundimin se të dy vendet ishin armiq, marrëdhëniet e të cilëve sapo kishin rënë në një nivel të ri të ulët”, thuhet në këtë studim.

Më tej jepet edhe një sondazh për problemet që ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vedneve ku janë pyetur shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe grekët.

Për shqiptarët problemi kryesor mbetet Zona Ekskluzive Ekonomik (Pakti Detar) me 30%. I dyti vjen çështja çame që nuk njihet nga Greqia me 17% dhe me 10% çështja e ligjit të luftës që në fuqi.

Për grekët si probleme kryesore janë: Ekspasionizmi shqiptar (Shqiperia e Madhe), qëndrimet e shqiptarëve ndaj minoritetit grek, ndryshimet kultore. Përkundër të anketuarve shqiptarë, çështja çame dhe pakti detar kanë një përqindje tejet të ulët ndikimi të marrëdhënieve për grekët. Si konkluzion rezulton se “media nuk po arrin të raportojë me saktësi konvergjencat e opinioneve dhe bashkëpunimit si dhe konsensusin e shfaqur nga të dy vendet përballë orientimit të gjeopolitikës së rajonit, i cili është vendimtar në kontekstin e luftës në Evropë. Mediat nga të dyja palët, po flakin tutje një mundësi për të paraqitur me saktësi stadin e përmirësuar të marrëdhënieve dhe vullnetin e mirë që është treguar nga të dyja qeveritë. Publiku në të dy vendet vazhdon të ushqehet me një këndvështrim të keqinterpretuar të marrëdhënieve aktuale dypalëshe greko-shqiptare nga mediat e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë