Politike

Rama nga Pogradeci: Shqipëria e 2030-ës do të jetë kampione e turizmit në Ballkan

Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Pogradec në kuadër të fushatës elektorale të 14 Majit. Ai tha se kjo bashki kishte mbetur jetime kur drejtohej nga opozita.

Gjatë takimit me qytetarët, kreu i qeverisë përmendi rastin e Tropojës, sipas të cilit, PS me mandatin 4 vjeçar ka bërë më shumë në qytetin verior sesa PD që e ka drejtuar për vite të tëra.

“Kur ne marrim një detyrë, nuk po them se çdo gjë e bëjmë perfekt dhe nuk bëjmë gabime, por ama ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. As nuk ka garë, as konkurrencë dhe as diskutim fare. Ata, akoma sot që nga ’92 drejtojnë Shkodrën e cila është e vetmja bashki ku akoma kazanët mbulohen nga plehrat”, tha Rama duke shtuar se sot bashkitë janë më të pastra seç kanë qenë ndonjëherë.

“Sot Pogradeci është i pastër, kalon dhe nuk shikon një copë letër në rrugë. Mos të them për çerdhe, kopshte dhe shkolla”, tha Rama duke përmendur se qeveria ka dhënë mbështetje për shkolla edhe Shkodrës “por janë shkollat më copë cope”.

Ne edhe shkollat që ndërtojmë janë njësoj si në Europë, tha Rama duke shtuar se Ilir Xhakolli ka vendosur ndriçim publik në 73 fshatra rreth e rrotull.

“Ata nuk ndërrojnë dot një llampë. Iu pëlqen errësira dhe pisllëku. Në demokraci dhe liri, bashkëjetojnë. Ju pëlqejnë ndërtimet pa leje. Ndërkohë që për ne është shumë e qartë. Duhet të synojmë dhe të luftojmë që Shqipëria e 2030 të jetë kampione e turizmit në Ballkan”.

Rama tha se mandati që fillon me votën e 14 majit, do të jetë mandati i Pogradecit. Fokusi në Pogradec do të jetë i madh, sepse “nëse në Korçë kemi zbuluar një pjesë të madhe të potencialit, këtu ka akoma shumë për të zbuluar”.

Rama theksoi se shëtitorja që do të ndërtohet pranë liqenit do ta transformojë tërësisht qytetin. Kreu i qeverisë shtoi se qeveria është ende në “borxh” me zonën e Mokrës dhe Gorës.

“Ne kemi në proces një projekt të madh, rreth 15 milionë euro që është në kantier në të gjithë zonën e Drilonit, projektin tjetër qe është në fazën përmbyllëse të kontratës për shëtitoren e liqenit të Pogradecit, një projekt që do ta transfromojë qytetin njësoj si Lungomarja transformoi Vlorën. Kemi një sërë projektesh të tjera që përfshin pjesëza të qytetit”.

Di që kemi akoma një borxh për të shlyer ndaj zonës së Mokrës dhe Gorës, tha Rama, ku ka potencial për zhvillimin e turizmit dhe ku mungon infrastruktura e nevojshme për t’i dhënë një hov turizmit dhe ekonomisë së zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë