Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në një takim elektoral në zonën e Paskuqanit me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha teksa ka deklaruar se sot vendi është në një diktaturë sepse të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë.
Berisha vijoi duke folur për kryeministrin Rama, për të cilin tha se nuk del dot para qytetarëve pasi “jeton në saraje që kanë 5 mijë metra park përreth dhe kanë ullinj 3-400 vjeçarë që kushtojnë nga 20 mijë euro”.
Ai vijoi me thirrjet për kryeministrin duke e ftuar që të tregojë para qytetarëve “dramën” që ka shkaktuar i vëllai dhe ortakët e tij me call-centerat, duke përfituar sipas tij mbi 2 miliardë euro.
“Sot në Shqipëri çdo pushtet qendror dhe vendor, i drejtësisë, mediave, parlamenti, janë në duart e një njeriu. Kjo përbën në kuptimin e vërtetë të fjalës pushtetin më abuziv dhe të rrezikshëm për vendin dhe qytetarët. Kjo është një diktaturë e bazuar në një organizatë kriminale që qeveris duke vjedhur nga mëngjesi në darkë, duke grabitur pasuritë e vendit, duke përdorur drogën e krimin. Diktatura e bandës është forma më e rrezikshme dhe e shëmtuar e gjithë diktaturave”, tha Berisha duke shtuar seEdi Rama nuk del dot kurrë.
“Si mund të dalë ai që jeton në saraje. Kam qenë rrogëtar i këtij shteti 30 vite, një apartament 130 metra kam, më të madh nuk e blija dot, kjo është e vërteta. Po ti që ndërtove sarajet me 5 mijë metra park përreth, me ullinj 300-400 vjeçarë që kushtojnë 20 mijë euro. Hajde thuaju këtyre qytetarëve dhe tregoji ku i ke marrë. Nuk i ke trashëgimi nga nëna apo baba ato, i ke vjedhur. Hajde pak të tregoj se çfarë drame ka krijuar Olsi me ortakët e vetë, mbi 2 miliardë euro me call-centera. Ti ke firmosur 420 milionë euro djegësat. Po shkojnë paratë në Teheran”, tha Berisha.
Berisha foli dhe për rritjen e rrogës së Presidentit, duke thënë se “Ja rrit rrogën presidentit, 4.6 milionë lekë. Kjo është shpirtkazmëri, me atë akt diferencën mes rrogës së presidentit dhe të pastrueses që ishte 8 deri në 10 herë e bëre 15 herë. Në diktatura bëhen këto”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje