Andi Lila, kandidati që nuk u fut në listën zyrtare për deputet të PD-së për zgjedhjet e 2021 (mori më pak mbështetje se të tjerët nga struktura demokrate e Kavajës), ish-lojtari i Kombëtares, i emëruar nga Lulzim Basha si koordinator për sportin, i cili propozonte deri edhe ndarje dikasteresh (nëse PD do merrte pushtetin), ai që ka treguar se, “ishte pjesë e PD-së që në kohën e gjimnazit) porse politika e kishte kërkuar atë dhe jo e kundërta; i njëjti Andi Lila ka surprizuar sërish në një dalje të fundit në Kavajë.
“Shoku i fëmijërisë” së Gazment Bardhit për të cilin shprehte bindjen se do të fitonte Elbasanin në 2021, këto ditë po bën të njëjtën thirrje për të tjerë shokë, kësaj here nga kampi tjetër, ai i PS-së.



Lila iu bashkua Partisë Socialiste gjatë një takimi të zhvilluar në Kavajë, në prani të Erion Veliaj dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe ka folur në mbështetje të dy kandidatëve të PS, Redjan Krali në Kavajë dhe Edison Memolla në Rrogozhinë.
“Edisoni ka qenë portier me Rrogozhinën, jemi pothuajse moshatarë dhe shpeshherë i bëj edhe ndonjë gol. Qyteti i Rrogozhinës ka një skuadër që quhet Egnatia, nga më të mirat e kampionatit shqiptar, dhe realisht është një nga skuadrat që unë simpatizoj, jo sepse jam nga zona, po sepse e keni ndërtuar me të vërtetë shumë mirë. Ndërsa, për sa i përket Redit, atë e kam shok shkolle, shok të vjetër.

Patjetër që një ndër gjërat që Redi më ka premtuar, jo vetëm mua si ish-futbollist i Besës, por edhe të gjithë sportistëve, që stadiumin e Kavajës do ta bëjë të ri dhe për këtë gjë patjetër që do ketë gjithë mbështetjen tonë. Janë dy çuna që janë fjalëpak e punëshumë”, tha Andi Lila, i cili ndryshe nga dy vite më parë, kësaj here faqja e tij në Facebook dominohet nga markat e veshjeve me sponzorizim dhe golat e ndeshjeve. / n.p
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje