Gazeta Si – Sipas mediave ruse, dy dronë sulmuan Kremlinin në Moskë, në një përpjekje nga Ukraina për të vrarë presidentin Vladimir Putin.
Në një video të postuar në Twitter nga ish-zëdhënësja e Zelenskit, Iuliia Mendel, shihet një dron duke goditur Kremlinin. Mbishkrimi i postimit në Tëitter thotë: “Dita e fitores po afron?”.
“Sulmi i dështuar i mbrëmshëm në Kremlin me dy dronë ishte një tentativë terroriste ukrainase për të vrarë presidentin Vladimir Putin, i cili mbeti i padëmtuar”.
Kështu deklaroi shërbimi për shtyp i Kremlinit, i cituar nga agjencia RIA Novosti, duke shtuar se Moska do të marrë masa hakmarrëse kundër Kievit.
Victory Day is soon? pic.twitter.com/MrQl4Lbhhg
— Iuliia Mendel (@IuliiaMendel) May 3, 2023
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Putin nuk ishte në Kremlin gjatë sulmit me dron, por po punonte në Novo Ogarevo.
Pamjet e publikuara në mediat sociale ruse treguan tym mbi qendrën e Moskës. Ukraina nuk ka komentuar ende mbi akuzat. Kremlini e quajti incidentin një “akt terrorist të planifikuar”.
“Kremlini i ka vlerësuar këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një atentat ndaj presidentit në prag të Ditës së Fitores, Paradës së 9 Majit”, tha RIA.
Kjo erdhi pas akuzave të lëshuara nga Rusia në drejtim të Ukrainës se ka sulmuar me dron një depozitë karburanti pranë urës së Krimesë, duke shkaktuar atje një zjarr të madh.
Ukraina nuk ka informacion për të ashtuquajturat sulme të natës në Kremlin, tha zëdhënësi i presidentit të Ukrainës, Serhiy Nikiforov, në një koment për BBC-në ukrainase.
Ai kujtoi se Presidenti Volodymyr Zelenskyi ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina drejton të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion për të “çliruar territoret e veta, jo për të sulmuar ato të huaja”.
“Ajo që ndodhi në Moskë ishte padyshim një përshkallëzim i situatës para 9 majit. Ishte e pritshme nga kundërshtarët tanë”, tha Nikiforov.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje