Ka ndodhur

‘E kishte bërë rrugë’, 17-vjeçarja kapet në Morinë e fshehur në bagazhin e një BMW-je  

Dy shtetas kosovarë të moshës 23 vjec janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi kanë tentuar të fusin në rrugë të paligjshme në territorin shqiptar një të mitur 17-vjeçare.

Policia njoftoi se e mitura ishte fshehur në makinën e të rinjve dhe se kjo nuk ishte tentativa e parë e saj për të kaluar kufirin në shkelje të ligjit

“Në vijim të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, të ushtruara ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata udhëtojnë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin N. K.

Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e këtij automjeti, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një shtetase 17 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila dyshohet se po ndihmohej nga këta 2 shtetas, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin.

Nga verifikimet ka rezultuar se 17-vjeçarja kishte tentuar edhe më parë të hynte në vendin tonë, por për shkak të moshës, nuk ishte lejuar të hynte e pashoqëruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shtetasit A. M. dhe N. K., të dy të moshës 23 vjeç dhe banues në Prishtinë janë ndaluar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë