Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi të enjten në mbrëmje se partia që ai drejton kishte marrë zero lekë deri më tani edhe pse KQZ akordoi 1 milion euro.
“Ajo KQZ që ti thua e cila do duhej që t’i kishte bërë këto para në funksion dhe në zbatim të ligjit, do duhej t’i kishte bërë disponibël për secilën parti, por ne jemi ata të cilët nuk kemi asnjë lloj financimi se të tjerët dinë…Të tjerët e kanë zgjidhur hallin. Se Rama përdor buxhetin e shtetit, ky tjetri bën parada të mëdha në stadium apo dhe kudo tjetër po nuk dihet se nga i gjen paratë…”, tha ndër të tjera Alibeaj.
Nga ana e tij, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka sqaruar pozicionin e tij, duke qartësuar se ai e ka bërë detyrën e tij dhe se shpërndarja e fondeve duhet të lëshohet nga buxheti i shtetit
“Duke u nisur nga disa shqetësime të raportuara nga ndonjë subjekt zgjedhor lidhur me vonesën në shpërndarjen e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që u jepet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”, KQZ sqaron se:
Fondi për zgjedhje që përfitojnë partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje u miratua me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 13.04.2023. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në datën 13.04.2023 dhe i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datë 20.04.2023.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më datë 22.04.2023 ka miratuar vendimin nr. 397, “Për përcaktimin e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”.
Shpërndarja e fondeve partive bazuar në vendimin përkatës të Komisionerit Shtetëror bëhet direkt nga Buxheti i Shtetit”, thuhet në reagimin e KQZ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje