Ka ndodhur

Të shtëna me armë zjarri në dalje të Pukës, Kryebashkiaku i PS fajëson kandidatin e Berishës, policia s’jep motiv, në kërkim autori

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Pukë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Nuk ka ende një version zyrtar, por dyshohet që ngjarja  të ketë sfond politik, pasi vetë kandidati i socialistëve dhe njëkohësisht kryetari në detyrë, Gjon Gjonaj ka akuzuar se janë qëlluar mbështetës të socialistëve. Ai bën përgjegjës kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rrok Dodaj.

Ne foto: Kryebashkiaku i Pukes

“Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar dëgjoi krisma armësh, të cilët u  shkrehen në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati  pa parti i opozitës tentuan të prishin traditën e Pukës.

Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke ju drejtuar dhe armën, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër.

Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marr bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vi në pushtet…”, komentoi në Facebook Gjon Gjonaj

Ndërkohë, Policia njoftoi se ka identifikuar autorin me inicialet K.P. të cilin e ka shpallur në kërkim, banues në Tiranë.

Sipas policisë, 26 vjecari rreth orës 00:20, në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz ka qëlluar me armë në ajër.

Në njoftimin e Policisë, nuk specifikohet se ngjarja ka motive politike.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e  shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.  Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë