Njësia Policore Detare në Lungomare është struktura më e re e sapokrijuar në Vlorë.
Njësia ka për qëllim t’i shërbejë monitorimit të të gjithë mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore Shqiptare gjatë sezonit turistik veror.
Njësia Policore Detare përbëhet nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e Rendit
Gjatë prezantimit, Rama preku historinë e vitit të kaluar në Potam ku një vajzë e mitur humbi jetën si pasojë e shkeljes së rregullave detare.
“Sezoni më i suksesshëm për turizmin në Shqipëri, u përgjak dhe u njollos rëndë nga një ngjarje, e cila revoltoi të madh e të vogël dhe hidhëroi gjithë Shqipërinë. Një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në komunitetin e forcave të Policisë. Humbi jetën një vogëlushe krejtësisht pa asnjë arsye në botë dhe doli në pah një tjetër dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt të re, si rezultat i një transformimi të vazhdueshëm të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit, të cilat janë shtuar ndjeshëm por duke shtuar ndjeshëm dhe rrezikshmërinë për pushuesit, duke shtuar ndjeshëm një stres të pamerituar për ata që shkojnë në bregdet dhe duke shtuar ndjeshëm edhe shkallën e përgjegjësisë së forcave të Policisë dhe përkatësisht, të Policisë Kufitare…”, tha Rama

“U desh ajo tragjedi tronditëse për të reaguar me një reflektim të thellë dhe për të nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re të një rreziku të shtuar në brigjet tona me krijimin e një njësie speciale të ujit, e cila sot është këtu së bashku me të gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë plotësisht nën kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private…
Akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, që i uli kokën shtetit, që na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet t’ju shërbejë të gjithëve ju dhe duhet t’i shërbejë të gjithë punonjësve të Policisë si një kambanë që duhet t’i bjerë alarmit në kokë sa të dilni nga shtëpia e deri sa të ktheheni në shtëpi për të bërë jo të njëjtën gjë, por për të mos bërë asgjë nga ato që pastaj turpërojnë jo thjesht familjet tuaja, por turpërojnë gjithë bashkësinë e uniformave blu dhe turpërojnë gjithë shtetin shqiptar.
Unë e pata premtuar që kjo njësi do të mbante emrin e vogëlushes dhe në mirëkuptim të plotë me familjen e saj, u ra dakord që kjo gjë të mos bëhet, por nga ana tjetër, ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, motivi i mundit dhe motivi i suksesit të kësaj njësie, që ajo humbje e tmerrshme e familjes, që ajo dhembje e tmerrshme e gjithë popullit shqiptar, të shërbejë që fëmijët, prindërit, familjet, vizitorët, turistët, të ndihen të sigurtë, të ndihen të qetë, të ndihen të lumtur në ato ditë që mezi i presin për të pushuar dhe për të marrë energji të reja për të vazhduar pastaj vitin…”, tha Rama
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje