Ka ndodhur

Fier, i riu tentoi të vrasë 2 vetë duke i përplasur me makinë

Gazeta Si – Një ngjarje, e cila u raportua fillimisht si aksident rrugor në 1 maj, është zbuluar se ka pasur zanafillë tjetër në Fier.

Policia e Fierit, thotë se një 22-vjeçar ka tentuar të vrasë dy persona të tjerë për një konflikt për motive të dobëta në fshatin Sheqishte. Autori ka qenë bashkë me babain e tij, kur për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.

I riu Pavli Dafa, ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte dy prej personave me të cilët ishte konfliktuar. Për pasojë janë plagosur 26-vjeçari dhe 30-vjeçari, të cilët në momentin që ndodhi ngjarja kanë qenë jashtë makinës së tyre.

Pasi ka përplasur makinën e kundërshtarëve të tij, 22-vjeçari ka marrë mjetin e njërit prej tyre dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ky mjet, i cili është në pronësi të 30-vjeçarit të plagosur, u gjet më vonë i braktisur në një fshat të Mallakastrës.

“Dyshohet se shtetasi Pavli Dafa ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se shtetasi Pavli Dafa ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër”, njoftoi policia.

22-vjeçari është shpallur në kërkim dhe ndaj tij rëndojnë 3 akuza: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë