Politike

Berisha kërkesë Ramës: Hajde votojmë të enjten ligjin për rritjen e pagave  

Sali Berisha doli në një deklaratë për mediat me një kërkesë për kryeministrin Edi Rama.

“…Unë jam këtu sot në emër të qytetarëve shqiptarë, të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral.

Ndaj i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave, përgjigju ofertës sonë që nuk ka për synim bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të shqiptarëve, por ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë.

Pra, e enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve”, tha Berisha.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Kukës ‘fajësoi’ deputetët se pse nuk kishte kaluar ligji me argumentin se në draft nuk ishte përfshirë edhe rritja e pagës për deputetët. Më pas, ai tha se rritja e rrogave do të mundësohet në qershor dhe se efekti i zbatimit do të fillojë nga muaji prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë