Gazeta Si – Dy ditë para zgjedhjeve lokale, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Baleri, 51 vjeç, është arrestuar në flagrancë pak pas mesnate nën akuzën e “korrupsionit aktiv për zgjedhje kryer në bashkëpunim”, pra për blerje votash.
Ndaj tij është lëshuar zyrtarisht fleta e arrestit, 11 orë pasi u shoqërua në komisariat nga restoranti i tij në shëtitoren e Himarës.
Urdhri është firmosur nga oficeri i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Vlorës nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Ndalimi i Belerit është bërë në mënyrë flagrante në momentin që ai në bashkëpunim me persona të tjerë ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
“Dhionisios Alfred Beleri, është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Vlorës.
Ai u ndalua nga policia bashkë me një person tjetër, Pano Kokoveshi, 44 vjeç, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në dhënien e ryshfetit në këmbim të votës.
Të shoqëruar në komisariatin e Vlorës së bashku me Fredi Belerin, kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, avokati i tij, një anëtar i Shtabit elektoral dhe një tjetër.
Shoqëruesi i Belerit, Pano Kokoveshi është vënë në pranga për korrupsion në zgjedhje në bashkëpunim. Ndërkohë, janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa banorë të Himarës. Ndërkohë avokati i tij dha dorëheqjen që të dalë dëshmitar në çështje.
Më herët, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi është shprehur se për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarës Fredi Beleri, ka pasur një procedim penal dhe ka qenë në ndjekje në lidhje me akuzën për blerje votash.
Beleri ka qenë dënuar më parë me 3 vjet heqje lirie për veprën penale “Nxitje dhe urrejtje nacionale”, në vitin 2003,
Ndërkohë, në ambientet para komisariatit të Himarës, ka qenë i pranishëm edhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, partia në koalicion me Berisha-Meta që e ka propozuar kandidat për kryebashkiak Beleri.
Kandidati i “BF” në Himarë, Bejleri ka qenë ditët e fundit në qendër të akuzave politike, pas deklaratës se me ardhjen e tij në krye të Bashkisë, do të punojë për helenizimin e Himarës.
Kryeministri Edi Rama e ka akuzuar Fredi Belerin për tentativa për manipulim të votave. Gjatë fushatës ai e cilësoi Belerin një “maskara”, për të cilin shtoi se ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj.
Reagimet e ashpra për Fredi Belerin kanë ardhur nga shumë krah politikë dhe jo vetëm pasi në një deklaratë të tijën për mediat greke tha se do të helenizojë Himarën në rast se do të zgjidhet në krye të bashkisë më 14 maj.
“Është jetike për helenizmin e Himarës të kapërcejë të gjitha pengesat, që e pengojnë këtë mundësi, të ketë punë të mira, të gëzojë pasurinë e tij, e cila na është mohuar prej 60 vitesh, për t’iu ofruar arsim në gjuhën amtare, greke të gjithëve. Zgjedhja ime do të lehtësojë rrjedhën e helenizmit”, pati deklaruar Beleri për gazetën e madhe greke ‘Protothema’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje