Politike

Ambasadorja greke në Tiranë takim në Policinë e Vlorës. Ministrja Xhaçka: Athina të presë faktet

Gazeta Si – Ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamitsi ka mbërritur në qytetin e Vlorës pas dhënies së vendimit të gjykatës për arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri.

Ajo është takuar me avokatin e kandidatit për kryebashkiak të Himarës dhe ka kërkuar informacione për të nga krerët e Policisë së Vlorës.

Ndërkohë mëngjesin e së premtes, Kamitsi shkoi edhe Ministrinë e Jashtme shqiptare, ku kishte kërkuar takim me kreun e këtij institucioni, Olta Xhaçkën.

Por, ishte takuar për disa minuta me një nga drejtorët e Ministrisë së Jashtme, të cilit i kishte shprehur shqetësimin për arrestimin e Belerit.

“Pas lajmit për arrestimin e Fredi Belerit, kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës, ambasadorja e Greqisë në Tiranë Konstandina Kamitsi, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm Nikos Dendias, po zhvillon një vizitë më 12 Maj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Në një reagim në Twitter, ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka, i ka kërkuar kryeministrit Micotaqis dhe homologut të saj Dendias, të presin faktet e drejtësisë, pas paralajmërimit të tyre se do të informojnë Brukselin për arrestimin e Belerit.

“Blerja e votave është vepër e rëndë penale në legjislacionin tonë dhe organizatat tona ligjzbatuese e kanë prioritet luftimin e saj në kohë zgjedhjes. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshi vëllezërit dhe motrat nga minoriteti grek që marrin pjesë në zgjedhje”, shkruan Xhaçka në reagimin e saj në Twitter.

“Kandidatura e Fredi Belerit, një qytetar i Shqipërisë që garon për t’u zgjedhur nga bashkëqytetarët e tij nuk garanton ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si gjithë të tjerët. U takon prokurorëve dhe gjykatësve që të merren me këtë çështje sipas dëshmive”.

Xhaçka i bëri thirrje autoriteteve greke që të mos nxitohen në deklaratat e tyre. “U kërkojmë me respekt miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër zhvillimet për këtë çështje me durim, duke lejuar drejtësinë shqiptare të bëjë punën e vet pa presione të jashtme dhe mesazhe përçarëse. Shumë mirë që informohet Brukseli, por duhet të presim edhe që të dalin faktet”.

Fredi Beleri, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, u arrestua pas mesnate nën akuzën për blerje votash.

Më herët, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, akuzoi direkt kryeministrin Rama si njeriun që urdhëroi arrestimin e Belerit në Himarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë