Politike

Rama mbyll fushatën në Durrës: Fitojmë thellë, diferenca do të jetë me mijëra vota. Përshëndes patronazhistët!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama mbylli fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Durrës, krah kandidates së tij dhe kryebashkiakes momentale, Emirjana Sako.

Ai e konsideroi këtë takim si më të jashtëzakonshmin që ka pasur ndonjëherë në këtë qytet.

“Në kujtesën time ku është takimi më i madh më i jashtëzakonshëm që kam pasur këtu. Patën edhe debate me drejtuesit e partisë kur u thashë se kjo maratonë fundin e saj do e ketë në Durrës. Dhe e merrni me mend se sa kanë kërkuar që të bëhet në vende të tjera, duke menduar se do ketë më shumë njerëz se në Durrës. Se të gjithë mendojnë se durrsakët nuk janë të takimeve të mëdha. Mirëpo jam i bindur se të gjithë ata që po ndjekin këtë takim, nuk po e besojnë dot që po ndodh në Durrës. Jam shumë mirënjohës për këtë gjë, është privilegj që jam deputet i Durrësit, por është privilegj të jem pjesë e historisë së PS-së këtu në Durrës”- u shpreh Rama.

Rama nuk harroi të falënderonte patronazhistët të PS-së në Durrës.

Përsëri ai përmendi projektin e portit turistik atje si një ndër planet më të mëdha edhe për Shqipërinë, që do ta bëjë përsëri Durrësin, portën kryesore të Adriatikut.

 “Dua t’i bëj një përshëndetje patronazhistëve të frikshëm në Durrës, zgjedhësve dhe zgjedhëseve të PS në Durrës.

Unë jam i bindur që nuk ka një km katror të Shqipërisë që nuk ka potencial për të zhvilluar turizmin. Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik jo të bashkisë së Durrësit por të republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një momenti të zhvillimit tonë ekonomik. Më në fund pas shumë përpjekjesh është vendosur baza dhe janë lodhur edhe gjërat bashkisë.

Me portin e tij turistik, portin e ri tregtar dhe hekurudhën e re Durrësi bëhet një pikë lidhëse për të gjithë hapësirën e rajonit tonë. Durrësi do të rikthehet se s’bën në historinë e asaj porte kryesore të kësaj ane të Adriatikut që romakët e përdorën për të hyrë dhe për t’u shtrirë në territore të tjera”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë