Në një dalje për mediat pas mbylljes së procesit të votimit, Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që të numërohet korrekt çdo votë e qytetarëve duke u shprehur i bindur se shqiptarët do të ndahen nga politika e vjetër.
“Gjatë gjithë ditës Partia Demokratike ka denoncuar të gjitha problematikat që shoqëruan sot procesin zgjedhor, por nga ana tjetër vlerëson maksimalisht qytetarinë e shqiptarëve që falë qetësisë dhe maturisë së tyre, dhuruan sot një proces të qetë zgjedhor, pavarësisht përpjekjeve për intimidim, manipulim, praktikat e shitblerjes së votës apo cënim të këtij procesi”, tha Alibeaj duke shtuar se Partia Demokratike falënderon gjithë ata që sot iu drejtuan kutive të votimit duke ushtruar demokracinë e zgjedhjes me votë.
“Në këtë betejë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë. Padyshim vlerësim e mirënjohje për gjithë komisionerët e Partisë Demokratike në qendrat e votimit të 61 bashkive të vendit të cilët menaxhuan në mënyrë përfekte një proces jo të lehtë për shkak të presioneve e parregullsive të shumta që shoqëruan votimin”.
Gjithashtu, shton Alibeaj, PD inkurajon të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit në misionin që ata kanë në orët në vijim për të numëruar korrekt çdo votë të hedhur në kuti.
“Vota e shqiptarëve është në dorën e tyre dhe misioni për garantimin e saj është i shenjtë. I kujtojmë të gjithë atyre që mendojnë apo do të provojnë të prekin votën e shqiptarëve, se çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor dhe kodi penal”, tha Alibeaj duke e përmbyllur me fjalinë se “Partia Demokratike është e bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe shqiptarët do të ndahen përfundimisht me politikën e vjetër duke i dhënë frymëmarrje Shqipërisë në rrugën drejt BE”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje