Politike

Berisha ‘rrëzon’ fitoren e PS në 3 bashki: Do të kërkojmë auditim për rezultatin elektronik

Gazeta Si – Pas publikimit të rezultatit në 3 bashkitë ku u zhvillua votim dhe numërim elektronik, Sali Berisha do të kërkojë auditim të aparaturave.

Ai u shpreh se në media janë paraqitur dëshmi të transformimit të votës, ku paraprakisht PS ka fituar në Elbasan, Vorë e Kamzë.

Për këtë arsye theksoi se Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta se si mund të trajtohet devijimi i rezultatit nga aparaturat. Sipas tij, cilido që ka dyshime për tjetërsimin e vullnetit të tij ka të drejtën të kërkojë verifikimin e fletës.

“Së pari, për këto rezultate ka disa kundërshtime shumë të forta, siç keni dëgjuar janë mediat që kanë paraqitur dëshmi të transformimit të votës në këtë proces. Çfarë dua të them me këtë? Unë kërkoj nga KQZ-ja që të bëjë auditim e këtyre aparaturave.

E dyta, Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta të sakta se si mund të trajtohet devijimi i rezultatit nga aparaturat. PD do të kërkojë zbatimin e të gjitha ligjeve në këtë drejtim. Aty ky dyshohet se është devijuar rezultati, do kërkohet auditimi.

Gjithmonë ky është një rezultat paraprak. Rezultati elektronik quhet paraprak sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse. Tani kanë dalë disa media që kanë paraqitur tre raste që thonë se kam votuar për këtë kandidat dhe më ka dalë në ekran kandidati tjetër. Unë nuk jam këtu për t’i dhënë përgjigje përfundimtare, por kjo kërkon të bëhet auditimi i aparaturës.

Cilido që ka dyshime për tjetërsimin e vullnetit të tij, të kërkojë verifikimin e fletës. Siç e dini, çdo votim elektronik printon fletën përkatëse. Në votimin elektronik, rezultati cilësohet me ligj rezultat paraprak. Unë jam besimplotë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi bërë një monitorim të të gjithë procesit zgjedhor”, tha Berisha.

Më herët, Berisha denoncoi atentatin e dështuar sipas tij, ndaj Salvador Kaçajt, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë. Krah këtij të fundit, Berisha dha dinamikën e ngjarjes, së denoncuar nga vetë Kaçaj në polici. Berisha po ashtu akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.

Ai dënoi me ashpërsinë më të madhe këtë akt dhe u shpreh po ashtu se fushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë