Politike

Komiteti i Helsinkit dhe Qëndresa Qytetare: Administrata intimidoi votuesit, KQZ nuk iu përgjigj ankesave tona

Nga Gazeta Si- Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare treguan shqetësimet pas vëzhgimit në qendrat e votimit ditën e djeshme.

Përfaqësuesja e KSHH-së, Erida Skëndaj tha se janë denoncuar raste të shumta shkeljesh gjatë procesit të zgjedhjeve por KQZ ka reaguar vetëm për një dhe se këto kanë cenuar integritetin e procesit.

“KSHH ka denoncuar shkelje të veçanta në KQZ duke kërkuar marrjen e masave, por ka reaguar menjëherë vetëm për një rast që nuk i shërbeu procesit të votimit pasi personat e paautorizuar u rikthyen pak pasi u larguan nga policia. Gjithashtu, në tërësi aksesi i vëzhguesve ishte i mirë por pati raste kur hasën probleme, me intimidim, fyerje dhe presion nga vëzhguesit partiak në Bashkitë Lezhë, Kukës, Gjirokastër, Berat”, thotë Skëndaj.

Ndërsa përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari, tha se prezenca e personave të paautorizuar ka intimiduar votuesit dhe policia ka reaguar shumë vonë për t’i larguar këta të fundit.

Qendra Qytetare ka qenë prezent me vëzhgues në 75 qendra votimi.

“Gjatë procesit zgjedhor janë evidentuar problematika të shumta që kanë shoqëruar gjithë ditën e votimeve. Një shqetësim ka qenë dhe prezenca e personave të paautorizuar në qendrat e votimit ku kanë intimiduar votuesit në Bashki si Tiranë, Elbasan, Durrës, Kukës e Shkodër. Një pjesë e këtyre personave ishin pjesë e administratës, duke përdorur postin për presion ndaj qytetarëve dhe nuk pati reagim nga ana e policisë edhe pas ankesës tonë. Në dy qendra votimi në Elbasan, ekrani i pajisjes për votimin elektronik nuk ishte transparent pasi ishte mbuluar me ngjitës dhe nuk duket emri i kandidatit”, tha Xhemollari duke shtuar se është evidektuar edhe përdorimi i celularëve për të fotografuar votën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë