Politike

Lokalet u mbyllën / Rama: Po punoj për Shqipërinë 2030, nis turin nga Shkodra. KQZ dështoi, për Belerin vendos pas zgjedhjeve në Greqi  

Në një dalje të gjatë mbrëmjen e të hënës pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, kryeministri Edi Rama e shprehu haptazi euforinë për fitoren në vendin bastion të demokratëve, Shkodra.

Ai u fokusua shumë tek Shkodra gjatë konferencës për shtyp ku premtoi investime konkrete dhe jo vetëm, por si vendin për fillimin e planit të PS-së për Shqipërinë e 2030, duke lënë të kuptohet se mandati synues i Ramës për qeverisjen i tejkalon zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës.  Rama tha se do të fillojë turin e falënderimeve për rezultatin duke filluar nga Shkodra.   

“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar. Vetë ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. E kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër për të nisur nga qyteti më i bekuar nga zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falënderimi në të gjithë Shqipërinë. Nuk dua ta harrojë askush se këto ishin zgjedhje vendore, patjetër me dimension politik të imponuar nga hijet e sëshkuarës që tentuan ta tërhiqnin këtë vend mbrapa dhe i shikon këto zgjedhje si aksion revolucionar si përmbysje ndaj qeverisë”, tha Rama.

I pyetur për bashkëpunimin që mund të ketë me kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkitë ku ata janë zgjedhur si kryebashkiakë, Rama tha se eksperienca kishte treguar deri më tani se një gjë e tillë është e pamundur. Por kësaj here, ai foli me një ndryshim.

“Bashkëpunimi me ta është i pamundur jo për shkakun tim por për shkakun e tyre. Këtë e tregon eksperienca por do e shohim rast pas rasti. Nëse do vënë interesat e komunitetit mbi agjendat politike, ne nuk kemi asnjë problem me këtë dhe e kemi për detyrë dhe privilegj që t’i shërbejmë çdo anëtari të bashkive brenda 28 mijë kilometra katrorëve” tha Rama.

Kryeministri u pyet gjatë edhe për cështjen e Fredi Belerit për të cilin do të flasë konkretisht vetëm pas zgjedhjeve në Greqi.   

“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi, dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime dhe nga ana jonë. Sepse kemi bërë një punë të jashtëzakonshme sëbashku me qeverinë greke, kryeministrin dhe Denidas për të ngritur një urë të re bashkëpunimi dhe për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin. Jemi vendosur të bëj maksimumin para se të jemi i detyruar të reagoj proporcionalisht. Dua të theksoj se institucionet e drejtësisë mund të kenë problemet e tyre, por askush që nga unë i pari, që jeni dëshmitarë që si kam kontestuar asnjëherë, jo më pastaj të tjerë, lërë pastaj nga jashtë Shqipërisë të vënë në pikëpyetje dhe nën presion të tjerë rolin e tyre”, tha ai.

Zgjedhjet në Himarë, sipas tij, treguan diçka tjetër.

“Ato janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pa pengesë, pa incident. Aty kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik. Aty ishin gazetarë, shqiptarë dhe grekë. Aty ishin lider lokal që ka mbajtur tv gjallë me bomba tymuese për atë po ndodhte por që askush nuk e shihte. Aty ishte dhe policia që garantoi gatishmëri. Aty është bërë numërim si kudo në Shqipëri, transparente e paqësor. Aty ka fituar me një grusht votash, kandidati kundërshtar me qeverinë. Dhe kjo hedh poshtë totalisht çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë një përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore apo elektorale nga ana jonë. Një fitore që s’ka të bëjë me masën e dhënë nga gjykata për kandidatin në fjalë. Unë besoj se duhet të mjaftoj ky argument për të mos u ngatërruar gjërat. Akuza e ngritur s’është nga qeveria”, tha Rama, duke lënë të kuptohet  gjithashtu se nuk do ta kontestoje Himarën pavarësisht nga rezultati i ngushte.

Por një paralajmërim Rama e pati për kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.

“Sa i përket standardit të zgjedhjeve nuk kam lexuar asnjë raport paraprak por besoj se nuk kanë pasur asgjë të vecantë në një aspekt përvec dështimit spektakolar të KQZ për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë që me korrektesë dhe dëshirë ishin vënë në rradhë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese. Kjo ishte një gjë e rëndë tronditëse për faktin se pajisjet elektronike të identifikimit kanë garantuar një transparencë shumë të madhe. KQZ në fund të ditës është për atë ditë, vërtet i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Nuk do e lëmë me kaq këtë çështje aq më tepër kur pamë skenën e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Sepse janë investuar miliona e miliona euro të vëna në dispozicion nga taksat e qytetarëve” u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë