Politike

Tabaku: Sot jam me kokën ulur, denoncimet pa reflektim na janë kthyer në bumerang elektoral

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila nuk u pa aktive këtë fushatë, duke përcjellë më shumë mesazhin për bashkim brenda të djathtës sesa daljen me ndasi, ka komentuar në Facebook rezultatin e zgjedhjeve.

Përpos të gjitha rrethanave, Tabaku nënvizon se pikësëpari është koha për reflektim dhe për të parë nga vetja.  

“Sot, jam me kokën ulur para demokratëve, votuesve të djathtë e kujtdo. Nuk arritëm dot të japim një alternativë përbashkuese për PD, që pavarësisht kësaj sherrnajës që kush bën çfarë i morëm për të mirëqenë se njerëzit do votojnë logon apo mitin me sy mbyllur.

Nuk mund të jetë zgjidhje dhe as alternativë mllefi! Nuk mund të jetë zgjidhje dhe alternativë përleshja e pakuptimtë që ka ndarë demokratët. Nuk mund të jetë zgjidhje apo alternativë izolimi i vazhdueshëm dhe fshehja pas alibive që nuk na bëjnë fitues por na zvogëlojnë përditë.

Në çdo kuti votimi nga Vermoshi në Konispol, mesazhi i shqiptarëve dhe demokratëve është i qartë; Ne duhet të pranojmë gabimet tona duke e përdorur krenarinë tonë për të ndërtuar një PD ndryshe dhe jo për të mohuar faktet!

Askush nuk mund të mohojë problemet me zgjedhjet si krimi, korruptimi, blerja e votës, presionet. Por ndryshe nga çdo herë tjetër duhet të bëjmë së pari një vështrim nga vetja! …”, shkruan Tabaku

Sipas saj, “koha dhe humbjet e njëpasnjëshme kanë treguar që denoncimet pa reflektim janë kthyer në bumerang elektoral”.

“Prandaj A-ja është bashkimi me një analizë se përse mbjellja e urrejtjes mes demokratëve nuk mbjell dot shpresën tek shqiptarët, po dëshpërimin! PD duhet të ringrihet nga hiri dhe duhet të jetë alternativë për shqiptarët.

Nuk mund të jemi bojkoti i shqiptarëve kur mund të jemi lehtësisht alternativa e një shumice!”, shkruan ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë