Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji foli për situatën brenda kësaj force politike, pas zgjedhjeve të 14 majit dhe vendimit të Enkelejd Alibeajt për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PD zyrtare. Ai foli edhe për deputetët që nuk bënë fushatë.
“Deputetë brenda PD që nuk kanë bërë fushatë, nga ana tjetër ka njerëz që kanë punuar edhe kundër. Së pari, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të shohin se cfarë kanë bërë vetë dhe ata që kanë bërë fushatë, të mbajnë përgjegjësi për rezultatin.
Partia Demokratike dhe opozita duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të tejkaluar vetveten. Kushdo që e shikon këtë si një moment të dobët për të përfituar nga PD, duhet të mendojë në interes të demokratëve.
Po ju them që në mendimin tim opozita duhet të reflektojë, të merret me veten. Gjithçka tjetër, unë nuk jam për këtë variant, mendoj që çdokush duhet të ulet dhe të gjejë mekanizmat e duhura. Nuk mund të mbahet peng opozita nga njerëz që nuk kanë interes për të fituar PD”, tha Salianji.
Por a është skenar dorëheqja e Alibeajt?
“Unë shoh një përpjekje tjetër për të dëmtuar interesat e demokratëve, të Partisë Demokratike. Ka një përpjekje për t’u fragmentarizuar. Secili ka interes për të marrë ndonjë funksion, por nuk do të zgjasë më shumë se dy orë.
Unë jam i variantit që të gjithë deputetët e opozitës duhet të mblidhen bashkë dhe të gjejnë zgjidhje në raport me perceptimin publik dhe nëse nuk kanë më interesa që opozita të fitojë, por kanë interesa që Rama të fuqizohet më shumë, atëherë kjo nuk i shërben PD.
Nuk është momenti që në momente vështirësish si ky moment për opozitën shqiptare, të krijojë ngërçe të tjera. Që do t’i jepnin një tjetër avantazh Edi Ramës dhe opozitës siç ndodhi në këto zgjedhje.
Opozita duhet të tejkalojë çdo ndasi dhe ndarje ideologjike, për të pasur mundësi të kemi një opozitë gjithëpërfshirëse. Secili prej nesh është përgjegjës. Të gjithë ne që luftojmë për funksione personale jemi turpi i vendit”, tha Salianji, që muaj më parë ka tentuar të gjejë shumicën e deputetëve në grupin parlamentar për të qënë kryetar në vend të Alibeajt me ndihmën e Berishës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje