Qëndrim shumë i fortë i trajnerit Karlo Ançeloti në lidhje me fyerjet dhe sharjet në kor në stadiumet italiane. Ai kërkon marrjen e masave drastike, që stadiumet italiane të jenë si në Angli: “Në Itali jemi shumë prapa në nivelin e kulturës në stadiume. Mendohet ende se një ndeshje futbolli është një betejë apo një luftë, ndërkohë që është një event dhe edukata e keqe nuk ka të bëjë me të”, – ka theksuar trajneri i Napolit të Elseid Hysajt. “Tani kemi një avantazh: mund t’i ndërpresim ndeshjet. I kemi ndërprerë apo pezulluar për përmbytjet nga shiu, mund t’i pezullojmë edhe nga sulmet fyese apo koret raciste. Mund të bëhet edhe mendoj se do ta bëjmë”, – ka shtuar trajneri i njohur italian.
Receta e tij kundër kulturës sportive që mbizotëron aktualisht në Itali është e qartë. Ai shkon deri aty sa kërkon edhe ndalimin e ndeshjeve, një mënyrë e fortë për të ta bërë futbollin një event, siç thotë ai, dhe për të larguar atë rivalitet absurd që nuk ka lidhje me këtë sport. “Është e vështirë,për të mos thënë e pamundur të sulmohesh në Angli kështu si në Itali. Në Francë nuk është ai pasion që është në Spanjë dhe në Itali. Njerëzit nuk janë kaq të përfshirë dhe të apasionuar. Në Spanjë ka një rivalitet të fortë mes Barcelonës dhe Real Madridit, por nuk është kjo edukatë e keqe si në Itali”, – ka argumentuar trajneri Ançeloti gjatë një debati mes trajnerësh në qendrën stërvitore të kombëtares italiane në Koverçiano.

Në të njëjtën linjë me Ançelotin është shprehur edhe trajneri i Italisë,Roberto Mançini: “Të ndalim ndeshjet është një sinjal i fortë. Ne, për fat të keq, kemi këtë mënyrë të keqe sjellje dhe është për të ardhur keq që ndodh gjithmonë te ne. Jashtë Italisë vështirë se ndodhin gjëra të tilla”, – tha Mançini. Propozimi i Ançelotit ka gjetur mbështetjen edhe të trajnerëve të tjerë në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje