Politike

Votat e pavleshme më shumë se ato fituese në 3 bashki, a do ta ankimojë PS Himarën?

Gazeta Si – Në të paktën tre bashki, votat e pavlefshme janë më shumë se diferenca e votave mes kandidatëve që kanë fituar në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Ndër to, është Bashkia e Himarës, ku rezultojnë 197 vota të pavlefshme nga numërimi i votave totale të kandidatëve.

Fredi Beleri e fitoi bashkinë ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro vetëm për 19 vota. Rasti tjetër është Bashkia Rrogozhinë, ku kandidati socialist Edison Memolla e fitoi ndaj Shkëlqim Hoxhës të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për 30 vota më shumë.

Numri i votave të pavlefshme për këtë bashki është 276. Bashkia e tretë, është ajo Belshit, ku socialisti Arif Tafani mposhti kandidatin e opozitës Bedri Qypi për 40 vota më shumë. Ndërsa fletët e pavleshme të votimit ishin 220.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, neni 161, partive iu jepet e drejta që të ankimojnë vendimin duke kërkuar përsëritje zgjedhjesh nëse numri i votave të pavlefshme ndikon në rezultat.

“Pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi”, thuhet në këtë nen.

Zgjedhjet e Himarës më 14 maj u kthyen në pataten e nxehtë të politikës shqiptare, për faktin se kandidati i opozitës, i mbështetur nga partia e minoritetit grek, PBDNJ, Fredi Beleri u arrestua për shitblerje votash.

Lënia në burg e tij rriti tensionet mes Athinës dhe Tiranës zyrtare. Partia Socialiste ka në dorë që të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve për Himarën, por kjo pritet të shihet kur KQZ të certifikojë rezultatin për këtë bashki.

Sakaq, vetë kryesocialisti Edi Rama, duke deklaruar se askush nuk mund t’i bëjë presion nga jashtë, një qëndrim për akuzat e sulmet e lëshuara nga kryeministri grek dhe politikanët e shtetit fqinj do ta mbajë pas zgjedhjeve parlamentare të 21 majit në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë