Politike

Shqipëria dënon sulmet ndaj KFOR-it në Kosovë, Rama: Të ndalet dhuna, dialogu zgjidhja e vetme

Gazeta Si – Tirana zyrtare ka dënuar sulmet e manifstuesve serbë në veri të Kosovës, ku mbetën të plagosur 25 ushtarë të KFOR-it.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për incidentet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës, ku protestuesit serbë plagosën 25 ushtarë të KFOR-it.

Rama thotë se plagosja e këtyre të fundit ngarkon me përgjegjësi dhunuesit. Kryeministri thekson se zgjatja e këtij konflikti në veri të vendit, aq më shumë lëndon Kosovën.

“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, ka shkruar Kryeministri Rama në Twitter.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, situata zgjidhet me dialog mes palëve dhe ndërmjetësim të aleatëve. “Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”!

Kryeministri Rama bën thirrje që të dëgjohen aleatët ndërkombëtarë. “Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”!

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka dënuar sulmet e banorëve serbë në veri të Kosovës ndaj forcave të KFOR-it dhe kërkon që ky agresion të ndalet menjëherë.

“Sulmet e dhunshme dhe të paprovokuara ndaj KFOR dhe medias janë të papranueshme dhe duhet të ndalojnë menjëherë. Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për KFOR-in dhe u uroj shërim të shpejtë ushtarëve të KFOR. Depërshkallëzimi tani është vendimtar. Dialogu me ndërmjetësimin e BE është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohjes reciproke që të sigurojë stabilitet në rajonin tonë”, ka shkruar Xhaçka në rrjetet sociale.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka dënuar dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR-it nga protestuesit serbë në veri të Kosovës.

Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Peleshi bën thirrje për dialog dhe ulje të tensioneve si zgjidhja e vetme për një bashkëjetesë dhe stabilitet në rajon.

“Të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Dënojmë me forcë dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR, që po përpiqen për garantimin e sigurisë së qytetarëve atje. Dialogu dhe ulja e tensioneve, zgjidhja e vetme për një bashkëjetesë të mirë dhe stabilitet në rajon! Urojmë shërim të shpejtë për trupat e lënduar”, shkruan ministri Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë