Lulzim Basha u tha të rinjve të Vlorës se ka një vizion dhe projekt për të ardhmen politike, duke përsëritur tre kërkesat e tij për lista të hapura, vettingu në politkë dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit.
Fillimisht, Basha njoftoi se politikës i duhet qasur me një gjuhë të re.
Lulzim Basha është në politikë prej vitit 2004, megjithatë ai e përjashtoi veten kur u ankua se po dëgjojmë të njëjtët politikanë njerëz në 30 vjet.
“T’i bashkojmë njerëzit rreth vlerave, të projekteve që na çojnë përpara. Natyrisht, këtu do të kemi një luftë të madhe. Siç e keni parë, sapo kam dalë kanë thënë: Pse del ky? Pse flet ky? Se duan të flasin vetëm ata. Të njëjtat fytyra që flasin 30 vjet, duan të flasin vetëm ata. Por nuk e kanë vetëm me mua. Gjysma e të keqes po ta kishin vetëm me mua. E kanë me ju! Nuk duan fytyra të reja.
Nuk duan zëra të rinj në debat. Duan ta mbysin debatin akoma pa filluar. Ne nuk do t’i lejojmë. Ne nuk do të lejojmë që banaliteti të marrë peng këtë dialog, këtë debat të nisur së bashku nga Shkodra në Vlorë, në Tiranë, në Elbasan, Durrës, Berat e kudo nëpër Shqipëri…”, tha ai, duke kaluar me pas tek 14 maji.
“Çfarë tregoi 14 Maji?! 14 Maji është pika fundore e besimit tek politika”, tha ai.
Basha u pyet nëse është penduar që e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar më 9 shtator pak kohe pasi u shpall ‘non grata’ nga SBHA.



“Nuk jam bërë pishman. Nuk jam bërë pishman sepse vendimin nuk e kam marrë i nisur as nga interesi im, as nga interesi i një grupi të ngushtë. E kam marrë nisur nga interesi i demokratëve, të cilët e kanë parë me 14 majin se ku na çon vendimmarrja e gabuar, se ku na çon gjykimi pa mend në kokë. Po gjykimi vetëm me emocion të cilin e kuptoj. Shiko, mua nuk do të më dëgjoni kurrë të bëjë bardh e zi. Bardh e zi është varfëri mendore dhe varfëri shpirtërore. Nuk do të më dëgjoni kurrë të lëpij atë që kam pështyrë. As të shkel mbi atë që kam ecur, me bindjen se ka qenë rruga e drejt. Maksimumi mund të pendohem, siç jam penduar për jo pak gjëra dhe të kërkoj ndjesë siç kam kërkuar ndjesë, por duhet të kërkoj edhe më shumë, por jo të rivizatojë të kaluarën nisur nga interesat e të sotmes apo të nesërmes, këtë nuk kam për ta bërë kurrë. Me Sali Berishën kemi pasur një rrugëtim me pjesët e veta pozitive, të padiskutueshme që edhe sot nuk mund t’i mohojmë as unë dhe askush tjetër…”, tha Basha, duke vijuar më tej.
“Unë nuk pranova i dashur Edison, të jem një lider i rremë. Unë e dija që pa marrjen e një vendimi të tillë, Partia Demokratike dhe demokratët do të futeshin në një kolaps, në një rrugë pa krye dhe për asnjë çast nuk pretendova të kundërtën. Dhe kjo, padiskutim që më vuri pata përgjegjësisë për të marrë atë vendim. E dëgjuat çfarë tha pas kësaj? Dëgjuat sulmet, baltën, shpifjet? Ku jemi sot? Ku e kemi sot revolucionin që do e rrëzonte për 6 muaj Edi Ramën? Ku e kemi sot retorikën gjithë atë inflacion të shitjes së zgjedhjeve? Sepse derisa mora atë vendim, kjo retorikë nuk ekzistonte. Shpifjet dhe balta që hidhen sot ndaj meje, është e njëjta që hidhte Edi Rama kundër meje. Po tani ku jemi? Jemi më mirë apo më keq? Pse jemi më keq? Sepse vendosi interesin e vet personal mbi interesat e demokratëve. Nuk është kurrë vonë për të hedhur hapin e duhur. Dhe sot hapi i duhur është të reflektosh dhe në rastin e tij të reflektojë dhe të tërhiqet
Kurrë nuk është vonë. Për të ruajtur atë vlerësim për aspektet pozitive të lidershipit të tij, por për të mos e thelluar edhe më tej zullumin, dëmin që i ka bërë demokratëve me pjesë të errëta që janë shfaqur në veçanti gjatë këtyre muajve, gjatë këtij një vit e gjysmë…”, tha Basha duke iu referuar Berishës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje