Politike

Berisha nxjerr videot: Në 6 qendra votimi në Kamzë, 240 ndërhyrje manipulative, jam kundër drejtimit kolegjial të PD

Me moton e re pa zgjedhje të lira nuk ka zgjedhje, Sali Berisha, në një komunikim me gazetarët,  tha se vetëm në 6 qendra që ata kanë evidentuar në Kamëz, janë gjetur 240 ndërhyrje manipulative

“Por sot në këtë konferencë, do paraqesim rezultatet e para të shqyrtimit të veprimtarisë elektorale në 6 qendra votimi në Kamëz kundrejt 133 qendrave që ka kjo bashki.

Kandidati ynë ka aplikuar dhe kërkon të marrë të gjitha videot e qendrave të votimit për të vërtetuar fenomenet antikushtetuese të votimit në Bashkinë e Kamzës.

Në këto gjashtë qendra, janë gjetur 240 ndërhyrje manipulative në të cilat rasti i operatorit Haxhi Gusja, voton vetë me disa karta identiteti në qendrën e votimit 1577/1 në Valias.

Rasti i komisioneres së PS, Ilva Marku, e cila ngrihet dhe voton për votuesit. Kjo është një militante e thekur, një kriminele elektorale në qendrën e votimit…”, tha Berisha duke i ilustruar disa edhe me video, ku me flagrantja ishte një operator i KQZ që verehet duke votuar disa herë

Raste të tilla sipas tij janë evidentuar edhe në Elbasan.

Megjithatë, Berisha, i pyetur nga mediat, nuk dha një përgjigje konkrete a kishte pasur koalicioni “BF” komisionerë në ato qendra ku kishin evidentuar shkelje.

Berisha ishte kundër gjithashtu propozimit që vjen nga pala tjetër në PD për drejtim kolegjial të partisë.

“Idenë e drejtimit kolegjial e ka dhënë për herë të parë guvernatorja Yuri Kim.

Idetë e saj i konsideroj shkatërrimtare për opozitën

Unë di që drejtimi i forcës politike dhe çdo force politike buron nga gara e hapur dhe e ndershme, për të cilën nuk kam asnjë rezervë.

Drejtimi kolegjial është vetëm një shkatërrim i një opozite.

Gjithçka zhvillohet nga viti 2017 gjer më sot është skenari i shkatërrimi i opozitës por të shkatërruar kombin shqiptar.

Nuk ka filluar ky shkatërrim me shpalljen non-grata të Berishës, ka filluar me kontraktimin e McGonigal, njeriut më të fuqishëm të kundërzbulimit në SHBA dhe ka vazhduar me angazhimin e McGonigalit me fustan.

Kjo parti e provoi veten në këto zgjedhje, duke ia zhdukur emrin, kryetarin e koalicionit, duke ia zhdukur komisionerët, mblodhi mbi gjysmë milionë idealistë.

Çfarë e shpëtoi PD-në? Primaret e shpëtuan atë. Ndaj dhe përshëndes të gjithë ata deputetë të cilët mbështetën kandidatët e primareve, u ngritën mbi presionit primitive të Basha-Bravës dhe Edi Ramës dhe mbështetën kandidatët e primareve”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë