Lajme

Nisin homazhet për rivarrimin e Mid’hat Frashërit

Kanë nisur homazhet për rivarrimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, personalitetit të shquar të kulturës e të letrave shqipe, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ndërkohë, për t’i dhënë përshëndetjen dhe për t’i vendosur kurora ka pasur radhë të gjata.

Eshtrat e personalitetit të shquar të kulturës do të varrosen pranë vëllezërve Frashëri.Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.    

Kush ishte Mid’hat Frashëri

Mid’hat Frashëri (1880-1949) ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
Lindi në Janinë më 25 mars 1880. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Nisi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese “Mbrothësia”.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.
Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërisë e krijuar nga Ismail Qemali ai u zgjodh ministër. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës. Më 20 janar 1914, në një letër që i dërgoi gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, së bashku me G. Cilka e Taq Buda, shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj”. Këtë nismë të Mid’hat Frashërit, për blerjen e kalemit të artë, kjo gazetë e pati botuar më herët, në dy letra, përkatësisht më 7 dhe 10 janar. Mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas ikjes së Princ Vidit, Mid’hat Frashëri u largua nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit. Botoi në Sofje librin “Shënime mbi një udhëtim në Zvicër” më 1915.

Në vitin 1916 u vendos në Bukuresht ku u arrestua nga policia dhe u internua në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, u lejua të largohet dhe vendoset në Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ai deklaron “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan”. Në vitin 1920 ai u vendos në SHBA, kurse u kthye në Shqipëri në vitin 1922.

Në janar 1923 filloi detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Në vitin 1927, filloi të botojë sërish në Tiranë, revistën ‘Diturija’, të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit atje. Në Tiranë themeloi librarinë “Lumo Skëndo”. Më 4 prill 1929 Mid’hat Frashëri në testamentin e tij shkruan:
“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”
Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit politik. Pak muaj pas hyrjes së italianëve disa krerë mblidhen për të venduar një qëndresë të mundshme me bekimin e ardhur nëpërmjet Ali Këlcyrës prej stafit të Édouard Daladier. Pak ditë mbas hyrjes së italianëve nisi grupimi, dhe në shtator të 1939 nisi riorganizimi. Merr pjesë në Kongresin e Mukjes në gusht 1943. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali.
Mbas përpjekjeve për të krijuar Komitetet Ndërkombëtare, i afrohet autoriteteve amerikane më 1947 për t’u vendosë në krye. Pas 2 vjetëve, më 12 maj 1949 iu dhavisa. Por Mit’hati nuk jetoi aq sa për të parë nisjen e Operacionit “Valuable”. Gjatë një udhëtimi për në New York ora 9.25 minuta në hotelin Winthrop, SHBA ai vdiq si pasojë e një ataku kardiak.

Veprimtaria letrare
Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin Kombëtar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger” (1919), “Albanis et Slaves” (1919).
Mid’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë