Politike

Arrestimi i sekretares së MSH, Bardhi i kërkon dorëheqjen, Manastirliu: Distancohemi, përgjegjësia personale

Nga Gazeta Si- Përmes një deklarate për shtyp të shtunën, grupi parlamentar i PD-së tha se arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë nuk duhet parë e shkëputur nga vetë eprorja e saj, Ogerta Manastirliu pasi sipas tyre, ministrja ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Grupi parlamentar kërkoi dorëheqjen e Manastirliut, “si përgjegjëse kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm”.

Këtë kërkesë e bëri serish në seancën parlamentare kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi.

“Jepni dorëheqjen, të tregoni me fakte që nuk jeni bërë pis”, tha Bardhi nga foltorja e Kuvendit

“Kemi një kryeministër me një etje të pakufishme për pushtet. 40% vjedhin këta vetëm me një tender. Duan që populli të besojë s e ky është një rast i izoluar se këta nuk janë kaq hajdutë sa ishte bashkëpunëtorja e ministres së shëndetësisë. Pas dy dekadash në pushtet, Rama s’ka bërë kurë asgjë për të luftuar korrupsionin por ka ndërtuar një sistem për të shkatërruar demokracinë”, tha Bardhi duke iu drejtuar Manastirliut me pyetjen “Si ka mundësi që heshtët për skandalin duke mos u distancuar për aktin korruptiv? Jepni dorëheqjen, të tregoni me fakte që nuk jeni bërë pis”, tha Bardhi.

Në përgjige ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e quajti të rëndë dhe të trishtë rastin por thotë se Ministria e Shëndetësisë distancohet plotësisht nga rasti dhe fjalën e fundit e ka drejtësia.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje nga e cila si institucion distancohemi. Këtë qëndrim do të kemi gjithnjë për çdo rast të shkeljes së ligjit, të detyrës etj. Dhe ky person që i shkel këto, do përballet me drejtësinë. Ky ka qenë objektivi im që kur kam marrë detyrën. Rasti është i rëndë, duhet hetuar. Nëse del, ashtu sikurse dyshimet janë, të përballet me ligjin. Çdo person që merr detyrën në subjektin publik merr dhe përgjegjësinë para ligjit”.

Menjëherë pas Manastirliut, fjalën e mori deputeti Dashnor Sula duke thënë se Partia Socialiste ka krijuar një grup parlamentar në burg dhe të gjithë distancohen pasi kapen punonjësit e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë