Politike

Rrogozhina / KAS i jep mandatin PS, ‘BF’: E çojmë në Kolegj, fitoi me votat e të burgosurve, që s’janë banorë të asaj bashkie  

Pas rinumërimit të votave në Rrogozhinë ku rezultati u ngushtua por nuk ndryshoi fitoren e kandidatit të PS-së, Shkëlqim Memolla, KAS vendosi që t’i jap mandatin këtij të fundit.    

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi ankimin e opozitës për të shpallur të pavlefshme kutinë e votimit në burgun e Rrogozhinës, ku votuan 118 të burgosur, por vetëm 6 prej tyre ishin banore të asaj bashkie.

Raporti i votimit në KAS ishte tre me dy. Në treshen vendimtare ishte edhe Ilir Rusmali i cili në kohën kur angazhohej në PD si jurist e kishte kundërshtuar këtë praktikë.  

Pas vendimit të KAS, përfaqësuesi ligjor i opozitës, Ivi Kaso, është shprehur në një deklaratë për mediat se këtë vendim do ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor.

“Të dyja këto aspekte do të përbëjnë bazën e ankimit tonë për Kolegjin Zgjedhor, pra si rivlerësimi i votave, pavarësisht se u bë i plotë në kuptim të ligjit, ashtu edhe nxjerrja e rezultatit në një qendër fantazmë, në të cilën kanë votuar zgjedhës. Shteti i shkrirë me pushtetin do të arrijë me çdo kusht rezultatin në favor të kandidatit të PS. Nuk mund të përdorin këto truke me Drejtorinë e Burgjeve, me atë të Gjendjes Civile, në mënyrë që të sajojnë një qendër që pastaj është përcaktuese për rezultatin. KAS humbi një shans të madh për të vendosur një standard që duhet të aplikohet për të gjitha proceset zgjedhore në të ardhmen. Shpresojmë që këtë përgjegjësi ta marrë Kolegji Zgjedhor, sikundër i takon,” tha Kaso.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë