Politike

Historia e dy bashkëpunëtorëve Berisha-Rusmali, që sot i ndajnë edhe zgjedhjet

Komisioni i Ankimimeve dhe Ankesave miratoi me tre vota pro dhe dy kundër rezultatin përfundimtar i dalë nga rinumërimi i kutive për bashkitë Rrogozhinë dhe Belsh aty ku koalicioni “BF” synoni të përmbyste rezultatin.

Rezultati nuk ndryshoi, por koalicioni i Berishës dhe Metës e kontestoi sërish procesin që u çertifikua nga të paktën tre anëtarë të komisionit ndër ta edhe Ilir Rusmali, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës.

Dikur anëtar kryesie, më pas, deputet, ministër e zv/kryeministër i kabinetit “Berisha” me qejfmbejtje në rritje, fërkimet e pathëna për Gërdecin e më pas ‘degdisja’ e tij si i 17-i në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 2013-s, shënojnë edhe lidhjen e fundit të Ilir Rusmalit me historikun e PD-së së drejtuar nga Sali Berisha.

Ajo që ndodhi më pas i përket një epokë tjetër, me propozimin e emrit të tij, jo më, nga PD por PS-ja, fillimisht si ekspert i jashtëm zgjedhjesh e më pas si komisioner.

Rrugët e vjetra mes Sali Berishës dhe Ilir Rusmalit janë ndarë përfundimisht, aq sa e vështirë ta kuptosh se dikur, ata të dy kanë qenë në një tavolinë pune.

Rusmali risillet në skenën politike për një tjetër debat, atë të Avokatit të Popullit, për të cilin Berisha akuzon Bashën se ka bërë pakt me Ramën për emrin e tij.

E deri atëherë, Berisha nuk do ta kursejë aspak ish-beniaminin e tij në politikë. Aq më shumë kur në mes janë zgjedhjet.    

Në mbledhjen e mërkurës të grupit parlamentar, Berisha e njësoi Ilir Rusmalin me Edi Ramën duke e etiketuar atë si ‘kriminel elektoral’ që i mori mandatin e Rrogozhinës dhe Belshit. Dhe ky nuk do të jetë rasti i fundit… / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë