Seanca dëgjimore për raportin vjetor të vitit 2022, të veprimtarisë së Shërbimit Informativ Shtetëror u ndërpre dy herë në komisionin e Sigurisë pas debateve shterpë nëse duhej zhvilluar mbledhja me dyer të hapura apo të mbyllura. Kryetari i komisionit Nasip Naço disa herë iu drejtua Vlora Hysenit ta përcaktojë ajo nëse për shkak të përmbajtjes së raportit që do të lexonte do të duhej një mbledhje e hapur apo e mbyllur për mediat.
Në fund vendosi vetë Naço me votat e PS-se që raportimi të mbahej me dyer të mbyllura ndërsa hasi në debatet e deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili kërkoi që fillimisht të mbahej procedura e përcaktuar me rregullore për seancën, të shpjegoheshin arsyet se pse duhet të zhvillohej seanca me dyer të mbyllura e pastaj të shkohej tek votimi.

Për më shumë se 40 minuta komisioni vijoi me debate të padobishme dhe në fund pas dy ndërprerjesh rezultoi se punimet e komisionit të ditës së hënë duhet të ndiqeshin me dyer të mbyllura dhe vetëm në praninë e anëtarëve që janë të pajisur me certifikatë sigurie.
Por seanca e ‘trete’ filloi sërish me debat. Anëtari i komisionit të Sigurisë, Ervin Salianjii e filloi mbledhjen duke i adresuar disa pyetje Vlora Hysenit që kishin lidhje me vizitën e saj në Serbi por edhe me rrjedhjen e disa informacioneve specifike nga SHISH ndaj personave të caktuar që janë publikuar në media, duke cituar madje edhe inicialet e një rasti referues.
Në këtë moment ka reaguar Nasip Naco i cili tha se nuk mund te lejonte që të flitej për informacione të klasifikuara si sekret, ndërkohe që Salianji e kundërshtoi me argumentin se ato ishin bërë publike në media.
Seanca vijoi me debate mes të dyve pa asnjë përmbajtje, duke bërë që kryetari i komisionit të mbyllë mbledhjen, por duke përdorur tjetër argument se në komision nuk mund të marrin pjesë anëtarë që nuk janë të pajisur me certifikatë sigurie. Dhe Naço, pa përmendur emra, sa duket e kishte për vetë deputetin Ervin Salianji “Mbledhja e sotme u mbyll për shkak se po flisja unë. Për pajisjen me certifikatë sigurie deputetet e opozitës i kanë. Janë bërë kërkesa për tu pajisur me certifikatë të reja, duhet që institucionet të reagojnë në mënyrë të shpejt. I vonojnë qëllimisht certifikatat e sigurisë për të thënë që nuk ka certifikatë. Unë sapo kam aplikuar për certifikatë të re. E kam pasur 5 vjeçare”, tha Salianji pas mbledhjes.
Kërkesa për raportimin e Vlora Hysenit te Siguria lidhur me ngjarjet në Veri ishte pika e dytë e rendit të ditës (pas leximit të raportit vjetor) dhe u përpilua nga deputeti Ferdinand Xhaferraj. Kërkesa e tij ishte mbështetur nga gjithë deputetët e opozitës, përveç Enkelejd Alibeajt, që nuk u pa në mbledhje

Ky do të ishte raportimi i parë i Vlora Hysenit para deputetëve, që prej marrjes zyrtarisht të detyrës në krye të SHISH në prill të 2023 dhe reagimi i parë i institucionit më të lartë të sigurisë në vend për çështjen e Veriut të Kosovës, gjë që nuk ndodhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje