Sali Berisha e fokusoi takimin e tij me deputetët tek zhvillimet e 24 orëve të fundit në Manzë.
“20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi. Si një ditë në të cilën, narkoshteti shqiptar pikërisht zgjodhi ditën e refugjatëve, për një reprezalje, përmasat e të cilës, sipas medieve, janë krejt të tjera nga ato që thotë ministri Çuçi dhe zëdhënësi i tij, Rrumbullaku. Mediat, përveç viktimës, informojnë për gjymtyrë të thyera, të cilat nuk mund të ndodhin kurrë me spraj, për koka të çara, për plagosje të rënda. Pra, një brutalitet dhe një dhunë e egër, e dënueshme, e papranueshme”, tha ai. Më pas Berisha u fokusua në disa pika, duke filluar nga marrëveshja që ai firmosi me SHBA në vitin 2014 për strehimin e muxhahedinëve në Shqipëri
“Në atë kohë, muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirshme nga qeveritarët irakianë. Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bëra në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre.
Së dyti, kërkesa e dytë për t’i marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH si grup terrorist.
Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB-së. Tani të ndalemi pak te kjo kërkesë, sepse ata duhet të gëzonin pavarësisht nga mikpritja shqiptare, të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA i kanë pranuar këto kërkesa”, citoi Berisha.
Më tej ai rendit: “Tani, gjatë periudhës së negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritje e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin. OKB-në nuk e thirrëm për të ndihmuar me ushqime, por për kuadrin e të drejtave të tyre.
Pa dyshim që kërkesë tjetër ishte që nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata e kishin pasur këtë etiketën si grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim akte, veprime të armatosura, të nisura nga territori i Shqipërisë, të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit. Këto ishin kërkesat. Erdhi grupi i parë, nja 220 vetë. Më vonë, qeveria mori edhe 2700 të tjerë a 2800 të tjerë. Në mos gaboj, ata blenë tokën në Manëz, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe të kampit të tyre…”
Tani, vijmë te një moment tjetër se po e dëgjoj shpesh.
Muxhahedinët janë fronti i rezistencës kombëtarë të Iranit. Janë organizatë e mirëfilltë politike.
Kanë organizimin e tyre në Europë, Iran dhe më gjerë.
Personalitete të shquara të SHBA dhe të Europës, që kanë ardhur dhe i kanë vizituar, kanë ardhur si miq te një organizatë politike.
Këta që thonë se po merren me politikë, këta politikë bëjnë se nuk janë pa politikë.
Por, natyrisht se cilat janë kushtet që ka vendosur qeveria e mëpasme, nuk i bën publike, nuk e publikon as marrëveshjen, gjë që duhet të jetë transparente.
Di që ombrella e OKB ka vazhduar.
Nuk po ndalem këtu në aktet e rezistencës së tyre, por këta kanë luftuar me gjithë mundësitë që kanë pasur kundër regjimit të Shahut dhe kanë vazhduar betejën kundër teokracisë së ajatollahëve.
Ajo që ndodhi dje ishte një akt i shëmtuar, jo se qeveria dhe autoritetet nuk kanë të drejtë të ushtrojë kontroll. Kjo nuk diskutohet.
Por, të dyndesh më mijëra policë dhe të vritet tjetri dhe të thuash që nuk ka viktima, të thyesh këmbë e duar dhe të thuash që nuk është përdorur dhuna, këto janë shumë të rënda”, tha Berisha, duke shpjeguar më pas se i gjithë procesi ishte jo transparent nga Policia
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje