Politike

Meta: Jo ligjit për kanabisin. Për protestat duhet të reagojë shoqëria. Aksioni ndaj muxhahedinëve, veprim politik    

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, doli zyrtarisht kundër  projektligjit të qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor në vend. Meta tha se një ligj i tillë do të shkatërronte familjet dhe të rinjtë shqiptarë

“Projektligji është legalizimi de-facto i drogës në Shqipëri. Alibia e përfitimit ekonomik bie pasi përfitimet janë thuajse zero gjë që u provua edhe në Maqedoni vite më parë. Ky ligj ka pasoja shkatërrimtare për të rinjtë shqiptarë, sepse krijon varësi. DASH ka qenë i qartë me gjendjen e trafikut të drogës në Shqipëri. Kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me kokainë dhe heroinë që shpërndahen në Europë. Është shumë e qartë se legalizimi i drogës nga qeveria e Ramës është vetë legalizimi i narko -shtetit që blen zgjedhjet dhe shpopullon Shqipërinë dhe i hap narkotrafikut rrugë për ta shndërruar vendin në bazën më të madhe të trafikut në Europë”, tha Meta.

I pyetur nëse mbështet thirrjet e Berishës për protesta, Meta tha se për aksione të tilla duhet të reagojë edhe vetë shoqëria.

 “Opozita duhet të bëjë gjithçka që duhet, po ashtu edhe shoqëria të bëjë gjithçka që duhet në mënyrë që të jetojë me dinjitet të pacënuar nga askush. Ky është proces reflektimi i gjithë aktorëve.  Opozita ka bërë protesta, padiskutim që do të bëjë protesta por është shumë e rëndësishme të kuptojmë se edhe vetë shoqëria duhet të reagojë. Të gjithë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre nëse duan të jetojnë si qytetar të lirë të paintimidueshëm që nuk e meritojnë t’u kontrollohet vota as nga shefat e administratës ku punojnë dhe as nga policia” tha Meta.

Ai komentoi sërish aksionin e policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë.

“Aksioni i fundit policesk dhe politik ndaj kampit Ashraf, mund të themi me bindje të qartë se ky aksion është kryer në bazë të pretendimeve të regjimit iranian për veprimtarinë e supozuar të tyre kundër këtij regjimi.

… Sjellje tërësisht jo transparente nga ana e qeverisë shqiptare, kemi të bëjmë me një veprim politik” tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë