Lajme

Ardi Veliu anulon testimin për gradën “Komisar”

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka anuluar urdhrin e dhënë pak ditë më parë që provimi i efektivëve të policisë që konkurrojnë për gradën “komisar” të zhvillohej sërish sot.

Për Policinë e Shtetit konkursi i zhvilluar për gradën “Komisar”, më datë 7 nëntor, u anulua për parregullsi dhe do të zhvillohej gjatë së enjtes.

Mësohet se shkak për anulimin është bërë nisja e hetimeve nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për zv.drejtoreshën e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj bashkë me komisionin, sa i takon provimit të parë. Ndërkohë, për shkak të nisjes së hetimeve, provimi është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Procesi i konkurrimit, i zhvilluar në datën 7 nëntor nga Policia e Shtetit për të fituar gradën “Komisar”, ku morën pjesë 475 efektivë blu, u anulua me një urdhër të kreut të Policisë, Ardi Veliu më 13 nëntor. Ky vendim u mor pasi kishte një ankesë se ka mundësi që të jetë kopjuar dhe ka denoncuar rastin në Prokurorinë e Tiranës.

Në urdhrin e z.Veliu thuhej se ka dyshime që tezat janë shitur, apo ka pasur komunikime ndërmjet konkurruesve në procesin e zhvilluar në ambientet e Akademisë së Sigurisë. 

Në provimin për gradën komisar që u dha në Akademinë e Sigurisë më 7 nëntor, u konsideruan fitues të gradës komisar 176 policë, që do t’i nënshtroheshin më tej fazës së dytë të testimit. Në fakt, duhej të fitonin 189 për shkak të nevojës që ka policia për komisarë. Siç duket ka një hije dyshimi në lidhje me mundësinë e kopjimit, ndërsa provimi u mbikëqyr nga misioni Pameca, SHCBA, Drejtoria e Standardeve dhe madje ishte i pranishëm edhe vetë drejtori i Policisë sëShtetit, Ardi Veliu dhe askush nuk u kap duke kopjuar.

Ditëne djeshme u dha edhe provimi për gradën e kryekomisarit dhe nuk pati asnjë masë të tillë nga ana e Policisë së Shtetit. Gradat në polici kanë qenë gjithmonë të kontestuara, për shkak se shumë policë hedhin akuza për mbështetjen e disa kandidatëve të caktuar. Madje, vetë numri një i Policisë së Shtetit, Veliu, është diskutuar kur mori gradën e drejtuesit.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë