Lajme

Zjarr e tym te Bashkia, plagosen 7 policë. Veliaj: Nuk tërhiqemi

Banorët e Astirit edhe këtë të enjte dolën sërish për të protestuar përpara Bashkisë së Tiranës, ndaj shembjes së banesave të tyre që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”.

Banorët e “Unazës së Re” brohorisnin të revoltuar para godinës së bashkisë se nuk janë shpellarë, por qytetarë. Reagimi i tyre ka ardhur si pasojë e një fjalimi që ka mbajtur dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në të cilin ka përmendur fjalën shpellar, duke iu referuar kështu banorëve që kundërshtojnë projektin e “Unazës së Madhe”.

Por, situata agravoi tej mase, pasi banorët kanë hedhur tymuese e vezë drejt Bashkisë. Turma i është afruar kordonit të policisë, duke tentuar ta çajnë atë dhe të futen në godinë.

Në tentativa e sipër, banorët e “Unazës së Re” kanë lënduar edhe një polic bashkiak. Gjithashtu, në drejtim të efektivëve të policisë bashkiake, të cilët kishin krijuar kordonin e sigurisë u hodh edhe një bombë molotov, e cila shpërtheu në flakë te dera e Bashkisë, duke lënduar 7 punonjës të policisë bashkiake, të cilët janë transportuar në spital për ndihmën e parë mjekësore. Tre nga efektivët janë goditur me mjete të forta, ndërsa katër të tjerë kanë pësuar djegie nga shashkat.

Ndërkohë që jashtë zhvillohej protesta, bashkia në anën tjetër mblodhi me vonesë Këshillin Bashkiak ku opozita nuk mori pjesë.

Protesta përfundoi me zhurmë dhe në oborrin para bashkisë kanë mbetur tymuese, vezë dhe shashka. Në ambientet e bashkisë së Tiranës u hodhën kova me ujë për të shuar zjarrin nga tymueset e hedhura nga banorët protestues. Banorët janë shprehur se do të kthehen sërish. 

Në mbështetje të tyre, kanë dalë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetë të kësaj force politike, të cilët e kanë cilësuar tenderin e projektit të “Unazës së Madhe” si korruptiv. Ata kanë vendosur së bashku me anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim që të mos marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Për projektin e Unazës së Madhe parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë mevërtetime pronësie.   

Ndërkohë, pas tensionit që u krijua sot para Bashkisë së Tiranës nga banorët e Astirit,vjen reagimi i kreut të bashkisë, Erjon Veliaj.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku ka deklaruar se qytetii Tiranës do të triumfojë përballë barbarisë. Duke iu uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar, kreu i bashkisë thekson faktin se puna do të prevalojë përballë dhunës dhe se projekti nuk ka ndërmend të ndalet.

“Mirënjohje të thellë policëve bashkiakë për qytetarinë e treguar përballë partisë së dhunës, hurit e zjarrit! Shërim të shpejtë oficerëve të plagosur! Si tek Lodrat, Sheshi Skënderbej dhe Pazari i Ri, puna do e mundë dhunën, dhe qyteti do triumfojë mbi barbarinë! Ta harrojnë, Tirana nuk ndalet më!”, shkruan Veliaj në “Facebook”.   

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/posts/10156903936846926?__xts__[0]=68.ARB1ovJoa3-HjkSi25ELlQXuzyh4ROgnvCCXvE0DThyZbNaEsHweY3q-4swbDYuRUS3eA_OByooa4LHnBXjT1px1ZGDsYQsvP6n4YDjusW8jurmOMZpRsL8NrpVkGwGJdpVklsAG3eIwWAcjxurNaiqNbaPBOCaEitaPT2WU-lgkIaMNJH7r-13yUUjsXwXtFvCQdn7bihbTgiNEWQnxgZhgJ9gYwW4bmytVv7WBAxqvB7vPj6UUxX4SkUBn6s4OSxaJcGruVHAS_83mKD4IWkFCY0O0Xptm3r-0gWF1QB6dAP9lwl4iJL8lXszJFaFlbbQf1my1LSpI1SvxRw&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë