Lulzim Basha e ka filluar fushatën për kreun e PD-së me fokus Sali Berishën dhe marrëdhënien që PD-ja duhet të rindërtojë me SHBA.
Në ditën e parë të fushatës, Basha ka qartësuar se në PD nuk do të ketë lider të shpallur “non grata” nga SHBA.
“Ajo që sot është e sanksionuar në ligjet e PD dhe që dua ta rikonfirmoj edhe njëherë është se nuk ka vend në organet vendimmarrëse të Partisë Demokratike për këdo, lider, ish-lider, lider i ardhshëm, i cili shpallet non grata nga SHBA.
Ajo që është e rëndësishme për sot dhe të ardhmen e PD është se ajo do t’i mbetet besnike vlerave euroatlantike dhe interesave kombëtare”, tha Basha.
Ky duket fokusi më i besueshëm i Bashës sa kohë që për misionin e tij të “ri”, Basha po risjell në skenë tezat e tij të përsëritura qyshkur ishte kryetar i PD-së për realizimin e të cilave domosdoshmërisht duhen edhe votat e mazhorancës. Kjo e fundit ka rrëzuar dy prej propozimeve të Bashës në të kaluarën; vettingu në politikë dhe kufizimi i mandateve për kryeministrin.
Krahas tyre, Basha ka propozuar edhe listat e hapura dhe votën e diasporës. Të gjitha sa më sipër kërkojnë ndryshime Kushtetuese, pra 94 vota.
Aktualisht Basha ka mbështetjen e vetëm 7 deputetëve në Kuvend. Ndaj dhe, më shumë sesa propozimet e tij në fushatën një mujore për PD-në, do të zërë vend kërkesa për të mos pasur në lidership njerëz të shpallur ‘non grata’. Që do të thotë Sali Berishën. Të tjerat pastaj janë konsum politik që nuk varen as fare në dorën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje