Politike

Basha, të rinjve demokratë: Ju ofroj pjekurinë dhe mençurinë time

Lulzim Basha ishte në një takim me demokratët e degës numër 4 ku krahas të tjerave ai u premtoi të rinjve që do tu ofrojë “eksperiencën dhe mençurinë” e tij për të rikthyer besimin tek PD-ja.

“…Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës!

Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.

Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes.

Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtur status quo-në.  Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt”, tha ai

Më tej Basha premtoi: “Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë.

Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, teksa shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë.

Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne, që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë