Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtaren e Vlorës, Alma Liçaj.
Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit të Vlorës, nuk e ka kaluar Vettingun, pas problemeve me pasurinë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi pardje seancën dëgjimore, ndërsa hetimi ishte kryer vetëm në një kriter të rivlerësimit, atë të pasurisë.
Trupa gjykuese që shqyrtoi dosjen e Liçajt, Xhensila Pine, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, gjeti probleme të theksuara me pasurinë e gjyqtares. Ajo rezultonte pronare e 8 apartamenteve në Tiranë dhe Vlorë dhe gjithashtu edhe e 8 automjeteve. Vetë gjyqtarja ishte e pranishme në seancën e KPK. Ndërkohë, një ditë para seancës dëgjimore në KPK, Alma Licaj shpalli të pafajshëm ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.
Ajo u paraqit e vetme në ambientet e KPK, pa një avokat mbrojtës dhe nuk foli gjatë seancës së pardjeshme, por i tha komisionit se nuk kishte gjë shtesë përveç atyre që kishte argumentuar në materialin me shkrim të depozituar në KPK.
“Nuk kam diçka për të thënë, i qëndroj shpjegimeve me shkrim që i ka depozituar, aty kam analizuar të gjitha konstatimet dhe gabimet e Komisionit dhe kam bashkëngjitur provat për të vërtetuar të kundërtën e pretendimeve”, tha ajo.
Ndërkohë, gjatë karrierës së saj, gjyqtarja ka pasur edhe akuza në lidhje me punën e saj, por nga ana tjetër, në vlerësimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ajo ka marrë notë maksimale, por për këto Komisioni ka çmuar të mos bënte hetim të thelluar, pasi është mjaftuar vetëm në kriterin e pasurisë, për të marrë një vendim.
Gjithashtu, Liçaj i kërkoi KPK-së që të kryhet një hetim i thelluar edhe për dy kriteret e tjera atë të aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës. Por, kërkesa nuk u pranua nga Komisioni, i cili edhe në raste të tjera në momentin që krijon bindjen se mund të merret një vendim vetëm me vlerësimin e një kriteri, e ka ndërprerë hetimin administrative dhe ka thirrur subjektin në seancë dëgjimore për t’i komunikuar rezultatet e hetimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje