Katër parti të opozitës kanë nisur një fushatë për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor.
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi tha se duhet t’i jepet fund dominimit të PS dhe PD në skenën politike. Sipas tij, të dyja partitë përfituan numër më të madh deputetësh në zgjedhjet parlamentare vetëm si pasojë e ndarjes rajonale që kanë bërë me reformën territoriale.
“E kemi marrë këtë iniciativë që të ndryshojmë diçka që realisht ka vlerë për Shqipërinë. Nuk është puna që ndryshimin e sjell thjesht një ligj. Por nëse nuk ka një ndryshim me këtë ligj që themi sot, është bërë malore rruga. Të jemi të sinqertë sepse është bërë e pamundur zgjedhja e përfaqësuesve të qytetarëve. Vërtet këtë radhë fitoi PS 7 deputetë më tepër sesa i takonin por edhe grupi i PD zyrtare i përfituan edhe ata 3 deputetë. Këta prandaj nuk bëjnë zhurmë, nuk lënë të ulet në tavolinë njeri tjetër. Ne sot i kemi ftuar ata të gjithë, nuk kanë ardhur, por kemi ardhur ne pjesa tjetër që jemi të interesuar për këtë pjesë që të thyhet një lloj monopoli që kanë këta në politikë” tha Shehi i cili ishte ulur në një tavolinë bashkë me Fatmir Mediun, Agron Dukën dhe Endri Shabanin e Nismës “Thurje”. Ky i fundit tha se do të fillohet mbledhja e 50 mijë firmave të qytetarëve për të kërkuar më pas referendum për ndryshimin e sistemit.

“Do ikim të marrim formularin për mbledhjen e 50 mijë qytetarëve, dhe deputetët do kërkojnë në parlament referendum për ndryshimin e sistemit. Të minimizohet ndarja rajonale duhen më pak se 4 rajone. Është pikërisht kjo ndarje që dha 7 mandate plus për PS. Duhet heqja e herësit, me gjykatë kushtetuese herësi është hequr, duam të reflektohet edhe në Kodin Zgjedhor. Listat të jenë 100% të hapura dhe zgjedhësi të ketë më shumë se 1 alternativë. Kjo do të dobësonte fenomenin e shitblerjes së votës. Duhet të reflektohet në Kod vendimi i gjykatës kushtetuese për të pasur një prag rajonal”- tha Shabani, duke shtuar gjithashtu se duhet të ketë një ulje të moshës për qytetarët me të drejtë vote, duke ua dhënë mundësinë edhe 16 vjeçarëve.
12 propozimet e 4 partive opozitare (Nisma ‘Thurje’, PR, LZHK, PAAA) për zgjedhjet
1. Aplikimi i një Sistemi Zgjedhor Proporcional me katër ose më pak zona zgjedhore, duke respektuar ndarjen politike dhe ekonomike të rajoneve në Shqipëri.
2. Formula e shpërndarjes së mandateve të ndryshojë nga D’Hondt, ku pjesëtimi shkon në favor të partive të mëdha, në Saint Lague ku pjesëtimi me numra tek garanton një përfaqësim më të drejtë duke minimizuar deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
3. Subjektet zgjedhore të garojnë me lista plotësisht të hapura, pa kufizuar preferencat e votuesit
4. Zgjedhësi të ketë mundësi të zgjedhë brenda të njëjtës listë deri në 5 kandidatë preferencial (sipas modelit të vendeve të tjera psh Kosovës)
5. Fleta e votimit të përmbajë detyrimisht emrat e kandidatëve garues në listat garuese të subjekteve zgjedhore
6. Zëvendësimi i pragut kombëtar me pragun ligjor rajonal, i cili nuk mund të jetë më shumë se 1% e votave të marrë në rang rajoni
7. Aplikimi i sistemit proporcional preferencial, me dy preferenca, për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë
8. Aplikimi i sistemit zgjedhor proporcional me lista të hapura për këshillat bashkiak (njësoj si për zgjedhjet e përgjithshme)
9. Votimi i shqiptarëve të diasporës përmes postës, sipas modelit të aplikuar në vendet e zhvilluara.
10. Votimi elektronik pranë vendbanimit të përkohshëm, ose me postë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë përkohësisht brenda Shqipërisë por larg rezidencës së tyre të përhershme
11. Ulja e moshës minimale për të ushtruar të drejtën e votës që në moshën 16 vjeçare, e cila është mosha e përgjegjësisë ligjore
12. Aplikimi i kufizimeve proporcionale në organizmin e fushatës zgjedhore edhe në sektorin privat, përveç kufizimeve që aktualisht aplikohen në sektorin publik (si psh hapësira mediatike, reklamat dhe billboardet)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje