Politike

Raport për zgjedhjet/ Berisha: Farsa më e shëmtuar në 32 vjet. Ramën s’e shpëton dot as Soros nga ‘McGonigal’   

Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp të mërkurën bashkë me grupin e punës që ishte marrë me monitorimin e zgjedhjeve të 14 majit.

“Sot ne paraqesim në vija të përgjithshme raportin e PD-së për farsën elektorale 14 maj 2023.

Ky raport bazohet në qindra dhe mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit.

Në dhunimet e pashembullta të të drejtës së votës, në shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë të vërtetë elektorale.

Këto që shihni ju këtu dhe të gjitha dosjet tjera janë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare.

Këto dokumente do të jenë pjesë e një raporti shumëvëllimësh, i cili do publikohet, me të cilin do njihen mediat, do njihen qytetarët shqiptarë, do njihen demokratët.

Por do njihen institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të lira”, tha ai.

Dosjet e raportit te PD per zgjedhjet

“Do gjenden modalitetet për t’u hedhur edhe në Amazon, në mënyrë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar me këtë farsë të shëmtuar zgjedhore, që ka për aktor kryesor Edi Ramën, një person të inkriminuar kokë e këmbë, i cili ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të aferave të tij, mega-aferave të tij korruptive, kombëtare dhe ndërkombëtare”, vijoi ai.

Berisha tha se PD, e futur në garë me të njëjtin numër kandidatësh, pati zero lekë mbështetje nga fondet publike.

“Rama si diktator i vërtetë, caktoi kryetarin e koalicionit të opozitës, çka nuk ndodh kurrë në një vend të lirë.

Rama nuk lejoi regjistrimin e kundërshtarit politik nga frika dhe tmerri. Komisionet elektorale ishin më të pabarabartat në historinë e këtij vendi.

Për herë të parë, 876 mijë qytetarë u prekën me para nga qeveria për të publikuar ose blerë votën e tyre.

1.3 milionë zgjedhësve iu ndryshua qendra e votimit. U krijua një armatë prej 520 mijë zgjedhës shëtitës.

Dita e votimit ishte ditë kulmore e farsës elektorale. Vetëm në një numër të kufizuar qendrash në bashkinë e Kuçovës janë konstatuar mbi 500 raste votimi në grup, familjar ose në shoqëri. Imagjinoni sa janë në të gjithë bashkinë e Kuçovës.

Vota u kontrollua në mënyrë të tmerrshme në çdo etapë kohore të saj.

Mediat ishin në kontroll të plotë të qeverisë. Rama bllokoi të gjitha ekranet televizive në funksion të fushatës së tij.

Farsa elektorale e vitit 2023 u karakterizua nga pabarazia e plotë mes lojtarëve në fushën elektorale”, tha ai.

Berisha komentoi edhe vizitën e Alex Soros në Tiranë që përkoi me ardhjen e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton. Sipas Berishës, Soros po e ndihmon Ramën në çështjen “McGonigal”  

“Po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme nga George Soros, Alex Soros për ta shpëtuar nga kjo aferë.

Alex Soros e shpall atë vëlla dhe yll të stabilitetit, vetëm e vetëm që të mund të lehtësojë pozicionin e tij përpara drejtësisë së SHBA, por edhe drejtësisë në Shqipëri në kohën e duhur.

Në fakt, këto përpjekje do dështojnë. Edi Rama është në hetim të hapur kriminal për krimet e shëmtuara që ka kryer, por krimi më i madh i jetës së tij është shkatërrimi i procesit zgjedhor.

Sot ai është më i rrezikshëm se kurrë.

Sot ai përdor postin e kryeministrit për t’u fryrë konflikteve në rajon. Ai ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe këtë e bëri për lëkurën e tij, sepse korriku është përvëlues për të, por më shumë tetori.

Procesi McGonigal, me gjithë përpjekjet e Alexandër Soros, do i dëshmojë botës se Edi Rama është aventurier pa asnjë parim, një njeri që për hir të pushtetit të tij është i aftë të bëjë gjithçka”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë