Vetëm tre fjali ka qenë reagimi i ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për tre akuzat penale që rëndojnë mbi zv-kryeministrin Arben Ahmetaj.
Sipas saj, SPAK duhet të bëjë më shumë, (jo për rastin Ahmetaj), por të ndalojë pagesat për inceneratorin e Tiranës.
Kryemadhi nuk është fokusuar tek Ahmetaj duke e përgjithësuar si një ndër emrat e të arrestuarve të kësaj qeverisje
“SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetaj, ish Zv Kryeministër. Të arrestuarit venë e vijnë, ndërsa PAGESAT vetëm venë. Follow the money….SPAK mos harro të ndalosh edhe pagesat e Bashkisë Tiranë!”, shkruan Monika Kryemadhi
Prej kohësh, përflitej se Arben Ahmetaj ka qenë ai që ka shpërndarë tek ish LSI (tani PL) materialin “djegës” për inceneratorët në këmbim të shpëtimit të emrit të tij, por edhe si pasojë e luftës së klaneve që ishin krijuar në PS.
Monika Kryemadhi që dikur drejtonte LSI-në (kur Meta ishte në Presidencë) ka qenë denoncuesja kryesore e dosjes së inceneratorëve në SPAK
Ahmetaj e ka mohuar gjithnjë, por qëndrimet e LSI e më pas PL ndaj emrit të tij sa herë është përfolur për korrupsion kanë qenë tepër pasive, ndryshe ndaj emrave të tjerë të qeverisjes “Rama“
Berisha

“Këtu skandali vdes skandalin”, tha Sali Berisha në fund të konferencës për shtyp, ku ashtu si Monika Kryemadhi, edhe ai e kurseu mjaftueshëm Arben Ahmetajn.
Berisha u fokusua në deklaratën e tij vetëm tek emërimi i Taulant Ballës.
Ahmetajn ai e preku vetëm gjatë pyetjeve adresuar nga media.
“Siç e dini, në vitin 2012, PD dhe koalicioni qeverisës, ka hequr imunitetin për aferën e korrupsionit.
Pra, prokuroria e shtetit nuk ka asnjë lloj pengesë për të hetuar korrupsionin për shkak të imunitetit.
Afera e djegësave është afera ndër më të mëdhat korruptive, rikujtoj këtu se vetëm dje apo pardje, Erion Veliaj i ka dorëzuar kompanisë së tij që menaxhohet nga Bruno Preseci, 800 mijë euro.
Pra, kompania e krimit vazhdon të thithë si lubi, paratë e taksapaguesve për llogari të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Lidhur me rastin konkret, duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo zbatim të ligjit, shtoj këtu se në mënyrën më të padiskutueshme kreu i meduzës së kësaj afere është Edi Rama.
Është Edi Rrama që deklaroi se firmosja fap, fap, fap kur nuk duhej të firmoste kurrë.
Nëse më pyet mua, ministri i Financave ka përgjegjësitë e padiskutueshme, qoftë me veprimin, qoftë me mosveprimin.
Uroj t’u thotë shqiptarëve që se si ia imponoi Edi Rama, ku ishte kur Rama i shkoi me avion për t’i imponuar firmosjen.
Por nga ana tjetër, ligji kurrë mëshirë për frikacakun nuk ka”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje