Politike

Nismat e PS për largimin e Metës nga politika, Bardhi tregon letrën e BE: T’i drejtohemi Venecias   

Komisioni i Ligjeve u mblodh të hënën për diskutimin e dy drafteve që lidhen me pastërtinë e figurës së personave që ushtrojnë funksione publike si dhe ligjin për partitë politike, ndryshime që prekin edhe të ardhmen e Ilir Metës në politikë nëse miratohen.

Në ligjin për partitë politike socialistët synojnë të shtojnë një nen, ku parashikohet se nëse autoriteti i dosjeve fakton se një kryetar partie  ka qenë bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit, ai duhet të largohet nga drejtimi. Nëse kjo nuk ndodh brenda dy muajve, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë së partisë politike

Edhe projektligji tjetër  “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit, parashikon ndalimin e spiunëve të Sigurimit të futen në politikë.

Ata nuk mund të jenë deputetë, ministra apo kryetarë bashkie. Ndryshimet e dy projektligjeve u interpretuan prej kohësh si tentativë e mazhorancës për të larguar me “ligj” Ilir Metën nga politika pas publikimit të disa dokumenteve nga Autoriteti i dosjeve për përfshirjen e politikanit I.M.  si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Ilir Meta ka mohuar të jetë ai me inicialet I.M. duke reaguar më vonë se gjithçka është e sajuar qëllimisht.

Në mbrojtje të tij ka dalë edhe Sali Berisha, ndërsa PD-ja zyrtare deri dje ka qenë e përçarë në këtë drejtim.

Gjatë diskutimit të dy projektligjeve, PD zyrtare përmes Gazment Bardhit ka publikuar letrën e firmosur nga ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann e cila u kërkon anëtarëve të komisionit të Ligjeve që nismat ligjore të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.

“Ju keni marrë një letër nga delegacioni i BE, ku ambasadorja e delegacionit,  i ka drejtuar kryetares së Komisionit lidhur me dy ligjet e propozuar nga PS.

Letra e BE per dy projektligjiet e PS per pastertine e figures dhe partite politike

Në letër iu bëhet me dije që kjo çështje lidhet me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë do të duhet që ky komision t’i referohet standardeve që ka vendosur Komisioni i Venecias në dy opinionet të tij. Në opinionin e vitit 2019 për ligjin e lustracionit të asaj kohe dhe në opinionin e vitit 2018 kur është propozuar vettingu në politikë dhe kërkohet që për të dyja iniciativat, jo vetëm të mbahet në konsideratë,  por të sigurohet që janë përmbushur standardet e Komisionit të Venecias.

Si e kuptoj unë shqetësimin e delegacionit të BE, kërkesa e tyre është që para se të ecim me iniciativa të tilla që prekin shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, do të duhet patjetër që ne t’i drejtohemi Komisionit të Venecias për një verifikim të këtyre nismave”, tha Bardhi gjatë mbledhjes së komisionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë