Në historinë e kabineteve shqiptare, me përjashtim të periudhës së republikës 1925-1928 kur ministri i Drejtësisë ishte ushtrues i funksionit të kryeministrit, gjithnjë ministrat e brendshëm kanë pasur rolin, pushtetin dhe ndikimin më të madh.
Insituti i Studimeve Politike ka bërë një analizë të gjatë të këtij historiku, duke nënvizuar se, “bazuar në listën e ministrave të brendshëm përgjatë 1990-2023 rezulton se midis tyre ka pasur figura politike të rëndësishme, përfshirë Ruçi, Basha, Olldashi, Ceka, Xhafaj, Nishani (i vetmi ministër i brendshëm që u bë President dhe i vetmi me dy mandate). Pjesa më e madhe e tyre u shkarkuan për shkak të skandaleve dhe akuzave të shumta publike, disa prej tyre u dënuan me burg, disa të tjerë u larguan nga politika duke u shndërruar në biznesmenë”
Modeli referues pozitiv?
Ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP) vlerësojnë se mungojnë modele të tilla në rastin tonë. “Në listën e gjatë të ministrave të brendshëm nuk gjen një model që do të ishte inspirues për suksesin, zbatimin e ligjit dhe aftësinë profesionale. Ka ministra që në periudha të caktuara dhe vetëm në kontestin e rrethanave të kohës mund të konsiderohen ministra reformatorë dhe përgjithësisht me bilanc pozitiv, por kontrolli i theksuar politik nga partia përkatëse (që ka emëruar ministrin) dhe dominimi i kryeministrave apo presidentëve të kohës mbi agjendën e Ministrisë së Brendshme nuk i lejoi ata të krijojnë modele inspiruese”, thotë ISP.

Emërimi i fundit në krye të MB?
Ekspertët e ISP vlerësojnë se drejtimi i deritanishëm ishte me bilanc negativ, ndaj PS ka zgjedhur figurën e dytë më të rëndësishme politike, një politikan që ka studiuar marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me ekspertizë të lartë legjislative, por që nuk ka përvojë të mëparshme administrative dhe ekzekutive. Synimi?
“Të vendosë një person politik që merr përgjegjësi politike. PS nuk ka zgjedhur në këtë detyrë asnjë nga anëtarët e komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe as një politikan të pa-akuzuar për abuzim me pushtetin, por një politikan debatues që bashkëdrejton këshillin e integrimit në parlament, – një praktikë që rrallë gjendet në vendet e BE-së”.
Impakti? Sipas ISP, “Ministria e Brendshme do të marrë më shumë vëmendje mediatike dhe shtetërore, rendi do të rikthehet si prioritet në marrëdhëniet publike të qeverisë, do të ketë më shumë “politikë” dhe “parti” në policinë e shtetit, lufta ndaj krimit do të jetë më komplekse, por jo detyrimisht më efektive, synimi nuk është ndryshimi, por vijueshmëria dhe menaxhimi i qeverisjes, – tregues që paralajmërojnë momente kritike në të ardhmen, sidomos lidhur me konceptin e pandëshkueshmërisë, me standardet e të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje