Politike

Ahmetaj trazon Kuvendin, por bashkon opozitën, tërhiqet PS: Të premten votohet për arrestimin (foto, video)

Pas disa orësh debate dhe një qëndrimi të fundit të deputetit të PD-së, Dashnor Sula, ndërprerjes mbi dy herë të Kuvendit pas këmbënguljes së PD-së për të futur në rendin e ditës kërkesën e saj për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt që i hap rrugë arrestimit të tij, PS-ja është tërhequr. Seanca për Arben Ahmetajn nuk do të mbahet javës që vjen por nesër (e premte) në orën 10:00.

Fillimisht Taulant Balla, që është ende kryetar i grupit të PS-së (në pritje për tu votuar si ministër) deklaroi thirrjen e konferencës së kryetarëve.

Kërkesa e tij erdhi pas replikës së fundit të deputetit Dashnor Sula.

“Mblidhni komisionin e ligjeve për 5 minuta. Merrni vendim për drogën dhe nuk merrni vendim për arrestimin e Ahmetajt. Juve ju ka kap arroganca, nuk na llogarisni më. Sot nuk duhej të kishte parlament,. Sot duhej të ishin përmbysur tavolinat. Ca duhet më, të futemi edhe ne opozita në burg që të kujtoheni që ekziston opozita. Duam të ngelë në dokumente, të protokollohet. Hidhe poshtë kërkesën e PD për Ahmetajn,  i keni forcat e kartonëve. Pse e bëni një gjë të tillë. Me ngjarjet që kanë ndodh në Shqipëri, hunj, gojore, s’duhej të kishte parlament” tha Sula.   

“Ju lutem përmbajuni fjalorit sa të keni mundësi

Kam një kërkesë ndërprisni seancën dhe mblidhni konferencën e kryetarëve sepse mendoj se te gjithë kemi dëshirën e mirë se është shprehur kjo edhe në Këshillin e Mandateve për të gjetur një zgjidhje kështu që bëjmë pesë minuta pushim thërrasim anëtarët e konferencës së kryetarëve dhe i japim një zgjidhje kësaj çështje”, reagoi Balla.

Më herët, autorizimi që Kuvendi duhet t’i japë SPAK-ut për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj bëri për herë të parë opozitën bashkë, më saktë kryetarin e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deputetët që e mbështesin me pjesën tjetër që drejtohet nga Sali Berisha

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi tha se kreu i SPAK, Altin Dumani në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve është shprehur se Ahmetaj ka tentuar të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.

“Zonja kryetare ju dhe një anëtar e Këshillit të mandateve jemi dëshmitar që SPAK gjatë kësaj jave ka tentuar të intimidojë dëshmitarë, të prishë prova, ju po bëheni bashkëpunëtorë që të prishë provat, të negociojë me Ramën të fshehur prova. Në keni shprehur vullnet për ti hequr mandatin, s’ka asnjë arsye për ti hequr mandatin. Është ajo që tha dumani në mbledhje, prej një jave Arben Ahmetaj me fuqinë e rij si deputet, ish ministri, ish zv.kryeministri, ka intimiduar dhe ka tentuar të prishë prova dhe prokurori kërkon arrestimin e menjëherë për të shmangur prishjen e provave. Këta zotërinj duan ekzaktësisht këtë. Ti japin kohë Ahmetajt të prishë prova, të negociojë me Ramën. Të vijë Rama të tregojë ca ka fol me Ahmetajn, si po shkojnë negociatat e dorëzimit të kontrolluar”, tha Bardhi.

Në këtë mënyrë, sipas tij, PS po bëhet bashkëpunëtore në krim.

“Kam bërë një kërkesë procedurale, të pezullohet seanca, thirr përgjegjësin e dy aferave, të mos fshihet pas Rrjaës dhe Ahmetajt, dhe të japë llogari. Nuk mund ta kalojë në heshtje duke bërë sikur po zgjidh hallet e botës kur s’ka zgjidh hallet e korrupsionit parlamentar. Ka formuar një grup parlamentar në grup, nuk është përgjegjësi individuale e Ahmetajt, ka një përgjegjësi politike. Shoh Elisën që ngre dorën i sugjeroj të mos e marrë fjalën, se pastaj duhet të hyjmë tek përmbajtja e kërkesës që ka sjell SPAK. Të lërë kafet në zyrë dhe negociatat me Arben Ahmetajn pastaj kalojmë tek shqyrtimi i kërkesës”, tha Bardhi.

Deputeti Toni Gogu në anën tjetër i kërkoi të mos nxjerrë sekretin hetimor.

“Thirr Edi Ramën dhe sill për votim kërkesën e SPAK për Arben Ahmetaj”, vijoi Bardhi

Elisa Spiropali në anën tjetër foli për raportin e Ramës me drejtësinë.

“Në raport me kryeministrin Rama nuk ka asnjë gojë as argument që mund ta bëjë pis në raport me drejtësinë. Ju sulmoni institucionet e drejtësisë dhe e bëni të kompleksohen. Uroj që ata të mos kompleksohen por të bëjnë punën me drejtësi” tha Spiropali.

“Keni vjedh ju apo kemi vjedh ne? Ja keni dhënë popullit në gojë ju apo ne? Po ça ka ngelur vetëm të heqim pantallonat në sallë? Të na vijë turp ju dhe ne bashkë. Sepse situata është e rënduar, komike sa s’ka ku të vejë më”, ishte reagimi i Dashnor Sulës.

Sipas Edmond Spahos, Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen e vendi të kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Edhe deputetja tjetër e PD-së, Jorida Tabaku këmbënguli që çështja Ahmetaj të futet në rendin e ditës si dhe të jetë i pranishëm në Kuvend, kryeministri Rama.

“Janë të paktën 6 ministra dhe ish ministra, 1 zv. Kryeministër, 4 kryetar bashkish ku 3 ndër ta janë akoma në detyrë, të cilët sot duhet të përgjigjen para drejtësis. Është i gjithë Këshilli i Ministrave që kanë ngritur gjithë shtetin në këmbë për t’i dhënë një kontratë korruptive 3 personave që erdhën vetëm prej miqësisë së tyre me ministra.

Sot, minimumi i llogarisë publike, duhet të flitet sot për këtë çështje pasi ish-zv. Kryeministri, ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ish ylli në ngjitje i qeverisë socialiste, ish-gardiani i financave publike ka çelur buxhetin e shtetit për 3 persona në kërkim dhe është bërë mbrojtësi më i mirë i korrupsionit dhe zbatuesi më i mirë i vjedhes buxhetit të shtetit.

Sot, nëse do të kishte përgjegjësi politike, duhet të kishit dhënë dorëheqjen të gjithë me radhë! Kjo është afera më e madhe që ka pasur ndonjëherë shteti shqiptar! Kjo është afera që duhet të diskutonte ky Parlament sot dhe kushdo që flet e mbron akoma është pjesë e krimit! Është turp që Parlamenti mos të diskutojë sot për këtë!”, tha Tabaku

Berisha po ashtu mbështeti qëndrimin. Ai pyeti deputetin e PS-së, Damian Gjiknuri  nëse e kishte shoqëruar Ahmetajn për tu larguar nga vendi.

“Në vend se të ndalemi e të diskutojmë për këtë ngjarje që tejkalon çdo masë, e servirët se njeriu i suksesit, e informoni që të ikë. Katër orë para se t’i vinte parlamentit njoftimi, e përcolle ti Damian atje apo jo. Më thuaj pak këtu. Po të pyes? Ca është ky reagim mor. I the ti apo jo? E njoftove që të ikë. Në vend se të dilni këtu kokulur, tu kërkoni të falur shqiptarëve, a keni ju moral, cipë shtetari, zyrtari? Mbaroi koha, po s’mbarojnë kurrë krimet e kësaj qeverie…”, tha Berisha

Gjatë seancës Gazment Bardhi pati replikë të ashpër me Ermonela Felajn që u shoqërua me fyerje reciproke.

“Kjo mungesë kuraje nga ana juaj është tregon se jeni në interes personal të Edi Ramës. S’është çështja e te Rrahman Rraja nëse nuk do kishte dakordimin e Ramës. As Ahmetaj, as Gjiknuri etj. Na tregoni ju procedurat ju? Për cilat procedurat te të drejtat e  Ahmetajt. Nëse do të mbrohet ai mos të arratiset, të vijë në parlament të japë llogari dhe mos të shkojë nga aeroporti në aeroport me lekët që na ka vjedhur. Pastaj mos na tregoni ju që i fusni me urgjencë ligjet për kanabisin. Ju jeni fasada e inceneratorëve… i nxorët të gjithë pa përgjegjësi nga Felaj te Gjiknuri…”

Felaj: Palaço

“Palaço mua më ka thënë krye mafiozi yt dhe kur vjen nga një gjobaxhie që ke pushtuar prokurorinë  e Tiranës, yt shoq ka marrë ryshfet 1.5 mln euro nga katër biznese, kjo je ti, je një hajdute, një gjobaxhie që ke guxim dhe flet, je pjesë e dosjes, ke pushtuar prokurorinë e Tiranës për ti vënë gjoba bizneseve dhe qytetarëve. Ti! Ti dhe një pjesë prej… Mbylle moj gore gojën! Moj Hajdute!”

Në mbrojtje të Bardhit ishte edhe deputeti i PD-së, Flamur Noka që bllokoi disa here podiumin e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaroi se nuk ka asnjë vonesë nga ana e Kuvendit apo Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Arben Ahmetaj.

Sipas Nikollës, kërkesa e SPAK ndonëse mban datën 7 korrik mbërriti në Kuvend në datë 10, i cili më pas nisi të gjitha procedurat sipas ligjit.

“Ju bëj me dije se kërkesa e SPAK, është depozituar më 10 korrik edhe pse mban datën 7. Këshilli i Mandateve bëri menjëherë dy mbledhje. Mbrojtja kërkoi kohë, i dhamë jo më shumë se një ditë kohë.

Megjithëse rregullorja tha duhen dy javë për raportet, ne po veprojmë shumë shpejt. E njëjta procedurë është ndjekur dhe për Tahirin. Nuk ka asnjë deformim dhe vonesë që doni të hidhni mbi Këshillin e Mandateve dhe Kuvendin”, tha Nikolla.

Më herët, Gazment Bardhi kërkoi të hidhet në votim kërkesa e PD për të futur në rend të ditës raportin e opozitës.

“Rrëzojeni, por të shënohet në procesverbal se deputetët e mazhorancës i dhanë Arben Ahmetaj 4 ditë kohë për të intimiduar prokurorët dhe të prishë provat. Po bëheni pengesë e drejtësisë”, tha Bardhi

Në rendin e ditës ishte raportimi i raporteve vjetore nga disa institucione por që deri pas mesditë ishte e pamundur të ndodhte nga ndërhyrja e opozitës që kërkonte futje në rend dite të kërkesës për Arhmetajn.

I pari që u vu në këtë pozitë ishte Ilirjan Celibashi, i planifikuar për të folur mbi raportin e KQZ.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë