Nga Jorida Tabaku – Mendoja që do të ishte në nderin e këtij parlamenti që të mbulonte turpin që e ka zënë sot qeverinë shqiptare dhe të votonte për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestit të ish- zv. Kryeministrit, ish ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ish ministrit të Rindërtimit dhe kushedi sesa ish-ave të tjerë, për këtë aferë që ky parlament I ka dalë për zot.
Sot, e gjithë qeveria shqiptare duhet t’i kërkonte ndjesë qytetarëve shqiptarë dhe kushdo tjetër që është përmendur në atë dosje të ulte kokën, sepse i dolën për zot 3 personave në kërkim ndërkombëtar dhe zyrtarëve të tjerë të akuzuar për aferën korruptive 430 mln Euro.
Kur unë në Komisionin Hetimor për inceneratorët thosha që i gjithë shteti është i ngritur në këmbë, nuk e mendoja kurrë që adresa e qeverisë do të ishte “Sky Tower, Kati 13, Zyra 133”.
A e dini të nderuar kolegë që dokumentet e shtetit janë shkruar tek Sky Tower-i në katin e 13? A e dini që keni votuar pro për dokumente të shkruar nga biznesmenë?
A ka kapje shteti më të madhe sesa ligje, vendime të Këshillit Bashkiak dhe përgjigje të ministrive t’i kthejë një biznesmen që sot është në kërkim ndërkombëtar? Apo sesa kur ish- zv. Kryeministri thërriste kryetarët e bashkive socialiste në një restorant në periferinë e Tiranës dhe t’i detyrojë me radhë që të japin tendera Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit? Kjo është kapja e shtetit!
Nuk ka diskutim tjetër parlamenti përveç kërkesës së Grupit parlamentar të PD për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ahmetajt.
Ka pasur zyrtarë të ndershëm, e thotë dhe dosja e SPAK, dua të vlerësoj ish ministrin e Financave z. Cani i cili ka bërë deri në fund rezistencë; znj. Dhëmbi, drejtoreshën e Përgjithshme të Buxhetit; një numër të madh zyrtarësh në MFE që i kanë bërë rezistencë deri në fund Arben Ahmetajt që i thërriste në zyrë dhe i vendoste përpara përgjegjësisë duke ju bërë presion për të firmosur letrat e inceneratorëve.
Duhet të flisni sot për faktin që i keni lënë punonjësit e shtetit sot dhe administratën publike në duart e kriminelëve dhe që ia keni çuar biznesmenëve në zyrë për të dhënë firmat. A ka kapje shteti më të madhe dhe krim më të madh sesa kur një shtet i tërë të ketë shkruar letra koncesionesh?
Si nuk keni turp që keni bërë avokatinë publike duke sulmuar PD-në për një aferë që e ka mbrojtur me dinjitet për 7 vite.
Skandali i Rrahman Rrajas tregon shembullin tuaj sesi i forti në politikë, në biznes, i’a del duke mos folur asnjëherë në parlament, duke ardhur me gojën mbyllur, duke shkuar në zonën e tij dhe duke drejtuar që nga gurorja dhe bizneset e zonës, deri tek kultivimi i kanabisit. Për çfarë është zgjedhur Rrahman Rrahja në parlament dhe 20 deputet të tjerë në parlament? Për programin e Partisë Socialiste? Kjo është oferta politike që kjo qeverisje ka?
Për të cituar Kryeministrin Rama në vitin 2014: “Ajo që është bërë me Krujën është e pashembullt në histori. Siç ia hëngri PD malet Krujës, nuk ia ka ngrënë asnjë sulltan tjetër. Ne e mbyllim këtë plagë të tmerrshme dhe të gjitha guroret brenda vitit që vjen.” Por sot janë 50 gurore në qytetin e Krujës. çfarë ndodhi me sistemin që ju do të rrëzonit, që në fakt e perfeksionuat duke e rritur e duke ndarë favoret tek të fortët e politikës dhe biznesit? Se Rrafmanët e politikës dhe biznesit sot kanë kapur parlamentin.
Nëse unë do të isha deputete e PS-së sot, do të isha kokëulur dhe do i kisha kërkuar ndjesë shqiptarëve për 430 mln Euro që i keni hequr buxhetit të shtetit dhe vazhdoni t’i mbroni sot.
Sot ministrja e Financave, e cila ka qenë drejtoreshë tatimesh, duhet të fliste sesi ka lejuar kompani në hetim të marrin koncesione. Të gjithë deputetët që kanë qenë kryetarë bashkie që janë thirrur nga Ahmetaj për të firmosur tenderat për të, duhet të japin llogari dhe të kërkojnë ndjesë.
Kushdo që ka qenë në Komisionin Hetimor të inceneratorëve, që në konflikt interesi kanë mbrojtur ata 3 individë, duhet të kërkojnë ndjesë sot.
A ka turp dhe moral sot që ju të vini dhe të na akuzoni përsëri ne? Me çfarë lartësie morale të flasë Ulsi Manja që ka dosje në prokurori dhe të diskutojë zgjedhjet kur i ka vjedhur? Kjo është mënyra sesi PS ka fituar, me Rrahmanët e Krujës dhe të biznesit. Ky është modeli që keni ngritur në politikë! Prandaj të rinjtë largohen dhe ikin sepse nuk e gjejnë dot veten këtu. Për këtë model që po vret Shqipërinë, duhet të keni turp dhe të kërkoni ndjesë shqiptarëve.
Unë besoj që nga PS ka kolegë të përgjegjshëm, si z. Cani dhe punonjës të administratës shtetërore që e kanë refuzuar ta firmosin, ka deputetë që kanë refuzuar të bëhen pjesë e kësaj dhe këta sot duhet ta ngrenë zërin, të kërkojnë që të votohet në rendin e ditës kërkesa për arrestin dhe heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt!
Sot parlamenti shqiptar ka një njollë të tmerrshme turpi, e ka pasur politika shqiptarë me kriminelët, sot e ka parlamenti. Sot Shqipëria ka një njollë të tmerrshme turpi sepse numri 2 i qeverisë është arratisur me lejen tuaj, kur për 1 vit me radhë e keni mbrojtur.
Ka ardhur momenti që në politikën shqiptare të ndahen gjërat. Ndoshta jemi idealistë dhe PD-së do i duhet kohë që për çështjet e saj të drejta si dekriminalizimi dhe korrupsioni t’i jepet të drejtë. Por, diçka di me siguri, që nuk ka turp më të madh që ka mbuluar parlamentin shqiptar dhe ata deputetë që kanë bërë avokatët e Arben Ahmetajt dhe shokëve të tij. Këta avokatët e instalacioneve të korrupsioneve, që sot nuk janë as në terren, duhet të largohen me turp nga ky parlament!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje