Politike

Makina e Bledi Çuçit me 3 gjoba të papaguara, Taulant Balla: Policia të ekzekutojë vendimet  

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim të pazakontë, ka bërë për “dush” paraardhësin e tij Bledi Çuçi. Makina e këtij të fundit rezultonte me gjoba të vendosura nga Policia dhe mbi të gjitha që nuk ishin paguar. Edhe pse Balla synon ta “shfajësojë” me argumentin se titullari nuk i jep vetë makinës, një qëndrim i tillë nuk e “pastron” etikën në punë të paraardhësit.    

“Sot i kam tërhequr vëmendjen strukturave të Policisë së Shtetit për lejimin e akumulimit të gjobave për shkeljet e rregullave të qarkullimit nga ana e automjetit të Ministrit të Brendshëm!

Standardi i vendosur nga Kryeministri Rama qysh në ditën e parë të marrjes së detyrës nga ana e tij, ka qenë i qartë. Eskorta e kryeministrit e para dhe më pas të gjitha automjetet e tjera zyrtare të ministrave, deputetëve e me radhë, nuk mund të shkelin rregullat e qarkullimit përveçse në raste emergjencash të lidhura me detyrën. Ai standard i dha fund spektakleve prej të fortësh në rrugët e qytetit Tiranë mëngjes, drekë, darkë me sirena e me kapërcime semaforësh, të kategorive të lartpërmendura.

Eshtë për të ardhur keq, sepse përveç të tjerash ministrat nuk i drejtojnë makinat vetë dhe s’ka pse emrat e tyre të përmenden nëpër portale apo tv (siç ndodhi sot me paraardhësin tim që sapo la detyrën) për shkak se Policia e Shtetit nuk ekzekuton vendimet e gjobave përkatëse!

Uroj që kjo kujtesë t’u shërbejë të gjithëve për të bërë detyrën e tyre sipas ligjit”, shkruan Taulant Balla.

Bëhet fjalë për tre gjoba të papaguara 26 janar 2022, 6 korrik 2022, 19 dhjetor 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë