Politike

Zgjedhjet në Rrogozhinë / Veliaj: PS s’bën pazare me askënd (tregon mesazhin nga opozita)

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj njëherësh drejtues Politik i Qarkut të Tiranës deklaroi në Kryevidh të Rrogozhinës (ku këtë të diel ripërsëriten zgjedhjet atje), se PS nuk bën pazare me askënd, ndërsa denoncoi ato që i cilësoi pazare të kandidatit të opozitës.

“Ky që kemi përballë, më çoi fjalë para disa ditësh, më tha: ‘Kam harxhuar shumë në fushatë, po m’i kompensuat, unë iki vetë’. I them atij që më çoi mesazhin: Së pari, unë s’kam bërë kurrë pazar, se as kam mundësi, as nuk dua ta kem këtë mundësi për të bërë pazar. Së dyti, unë besoj se trimat rrinë në luftë deri në fund. Së treti, unë besoj se atë burrë, që e trajton Rrogozhinën si një markatë kecash, që i blen votat si të jenë keca, do ta mundim me një fitore të pastër. Ne nuk jemi parti pazaresh. Fakti që ai po kërkon pazar, do të thotë se nuk i ka ikur mentaliteti i bixhozxhiut, si ish drejtues i lojërave të fatit”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se PS do të dalë me fitore në këto zgjedhje, ku citoi se ai nuk bën pazare me askënd për votat dhe fatet e qytetaëve.

“E dini si sillet bixhozçiu? Çdo bixhozxhi i rrahur mendon se te dora e radhës do kompensojë ato që ka humbur më përpara. Pastaj, te dora tjetër do kompensojë edhe këtë që humbi. Te dora tjetër pra, ai thotë: ‘Humba dorën e parë, humba edhe një tufë me lekë në gjykatë’, se mendonte që gjykata do ia jepte aforfe, ‘humba edhe kësaj here’. Përgjigjja ime nga Kryevidhi është: Nuk ka pazare se ne jemi një forcë që nuk bën pazare me jetën e njerëzve, as me projektet e njerëzve, as me votat, as me fatet e njerëzve. Ne do ta mundim 8-2 siç i ka hije Partisë Socialiste. Nuk ka pazar me matrapazët, nuk ka pazar me bixhozzhinjtë, nuk ka pazar me ata që djegin shtëpinë e tyre. Pra, meqë e donte përgjigjen nga unë, po ia jap live: Ne pazar me bixhozxhinjtë, që e trajtojnë miletin si plaçkë për t’ia çuar Saliut dhe për t’i thënë – “ja i bleva kecat” – nuk bëjmë”, nënvizoi Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë