Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte të hënën në Morinë për të kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje që do të lehtësojë fluksin e udhëtarëve në atë pikë kufitare.
Takimi vjen në një kohë kur një vendim i Qeverisë së Kosovës, i kërkon çdo udhëtari që nuk ka targat e Kosovës në automjetin e tij, të paguajë një taksë siguracioni.
Kjo situatë ka krijuar radhë të gjata makinash në Pikën kufitare të Morinës.
Për këtë arsye, Balla zhvilloi një takim edhe me homologun kosovare, Xhelal Svelça.

“Arsyeja e këtij takimi është një kërkesa e imja, gjatë fundjavës së kaluar në kontakt me Ministrin Sveçla, të cilin mos u habisni unë do të takohem shumë shpesh, sepse kemi shumë marrëveshje të firmosura tashmë të cilat duhet të zbatohen.
Por konkretisht ka një rritje të numrit të mërgimtarëve e jo vetëm, edhe udhëtarëve të tjerë nga vende të ndryshme, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Republikën e Kosovës, e për shkak se për të gjitha targat me përjashtim të targave të Shqipërisë do të duhet të pajisën me siguracion, kjo merr një kohë të caktuar, kemi bërë një përllogaritje me ekspertët dhe drejtuesit.

Shqetësimi im është që sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjithë Europa e jo vetëm për t’u kthyer, të gjejmë të gjitha mundësitë që gjatë kthimit të tyre në Kosovë përmes Pikës së Kalimit të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër. Ose të gjejmë modalitetet sesi t’i japim një zgjidhje që pajisjen me siguracion, mos ta bëjnë më në pikën e kalimit kufitar, por, një propozim ka qenë, ta bëjnë brenda një kohe të caktuar, sapo hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ose brenda një distance të caktuar. Në shumë vende p.sh., ka një model që brenda një distance, 50-100 km, ke kohën ose mundësinë për t’u pajisur me këtë siguracion. Mendoj që një prej arsyeve të këtij niveli të lartë të këtij trafiku është pikërisht kjo’, tha ai.
Nga ana e tij, ministri Svelça ka pranuar problematikën duke deklaruar se do të ketë një zgjidhje të menjëhershme, por pa përcaktuar kohën se kur.
“Biseduam edhe me ekipet tona, zgjidhje ka. Patjetër që ka një vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj se shumë shpejt do të vërehen ndryshime të rrënjësishme”, tha ai
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje