Politike

E sheh si derdimen që fle, Basha i përgjigjet Ramës: Të sfidoj me vettingun në politikë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i është përgjigjur ironisë therëse të kryeministrit Edi Rama adresuar indirekt ndaj tij ku ndër të tjera e etiketoi si “derdimen të përgjumur me bluzën e jeshilosur” apo si njeriu  “që u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar”.

“Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë.

Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.

Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?!

Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike”, shkruan Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë